Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po zhvillon një takim me mbështetësit në Malësinë e Madhe, ku ndër të tjera u ndal te “flirti” mes paraardhësit të tij Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama, në rrjetet sociale.
Berisha ironizoi replikat mes dy politikanëve, duke i cilësuar ato si një “gili-vili” e përditshme.
Sipas tij, kjo përballje është pa vlerë dhe tregon keqpërdorimin e opozitës nga Basha.
“A e shikoni çfarë ndodh me Lulzim Bravën, gili-vili përditë me Ramën. Është keqpërdorim. Ishin rrethanat që më imponuan të kthehem”, tha Berisha.
Ai theksoi se nuk është rikthyer në politikë për interesa personale, por për të luftuar për një të ardhme më të mirë për shqiptarët.
Berisha u zotua për një opozitë të vërtetë dhe një alternativë serioze për të ardhmen e vendit.
“Berisha nuk është në këtë betejë për veten apo për familjen e tij, por për Shqipërinë Madhështore. Rrethanat ma imponuan këtë vendim. Luftoj për një vend të sigurt dhe të fuqishëm, që të ecë drejt Bashkimit Europian, ku rrogat të rriten dhe cilësia e jetesës të përmirësohet”, u shpreh lideri i opozitës.