Protesta për kullën 60 kate / Paralajmërimi i Arlind Qorrit: Radhën e ka Parku Rinia dhe Liqeni

8 August 2023, 21:02Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Protesta për kullën 60 kate / Paralajmërimi i Arlind Qorrit:
Pamje nga protesta


Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qorri ka paralajmëruar për leje të tjera ndërtimi që do të shkatërrojnë parqet e Tiranës, përfshirë Parkun Rinia dhe Liqenin e Tiranës.

Gjatë fjalës së tij në protestën kundër kullës 60-katëshe që është planifikuar të ndërtohet në lulishten pas Teatrit të Operas dhe Baletit, Qorri tha se Tirana sot është ndër qytetet me më pak gjelbërim në Europë.

“Mbrojtja e këtij parku nuk është vetëm mbrojtje e qytetit, por është mbrojtje e shëndetit publik. Tirana mund të jetë nga qytetet me më pak gjelbërim të Europës. Është ky park që po marrin, parku Rinia që do marrin pas kësaj dhe ai i Liqenit që po e gërryejnë dita-ditës.

Në përgjimet e Ndraghetas thonin që të investonin në ndërtim në Tiranë, pasi mund të merrnin metrin me 500 euro dhe ta shisnin me 3000 euro. Sot metri katror në kulla kushton 5000 euro, 10-fish fitim në këtë biznes.

Nuk ka një vend evropian ku bëhet një maskarallëk i tillë. Nuk ka një vend të Europës që shkatërron trashëgiminë e vetë. Veliaj dhe Rama thonë se mos Tirana është Parisi që ta ruajmë. Sipas tyre u duhet vendosur kazma qyteteve që nuk janë Parisi e Roma. Le të bëjmë një kullë në mes të sheshit Skënderbej, pse jo?!” u shpreh ai.


Video