
Belind Këlliçi është zyrtarisht kandidat i "Rithemelimit" për Bashkinë e Tiranës për zgjedhjet vendore që mbahen më 14 Maj 2023.
Në një dalje të përbashkët për mediat nga selia blu, Ilir Alimehmeti njoftoi tërheqjen nga balotazhi, që pritet të mbahej më 11 Dhjetor, teksa Këlliçi e prezanjtoi Alimehmetin si krahun e djathtë të fushatës së tij.
Alimehmeti deklaroi se anëtarësia foli qartë në favor të Këlliçit dhe se shenja e parë e qytetarisë është njohja e votës.
“Jemi këtu në selinë e Partisë Demokratike më pak se 24 orë nga primaret kur anëtarësia shprehu me vonë kë do të donte kandidat të Bashkisë së Tiranës. Në respekt të votës së anëtarësisë jemi këtu që të flasim. Të falenderojmë çdo vëzhgues për një proces që shkoi pa asnjë vërejtje. Kam qenë i bindur që ishte anëtarësia ajo që duhet të shmangej. Anëtarësia foli në favor të kandidatit Belind Këlliçi. Kjo është shenja e parë e qytetarisë. Të njohësh votën. Falenderoj këdo që më ka mbështetur. Do vazhdoj të punoj për ju për zgjedhjet e 14 Majit”, tha ai.
Ndërsa, Këlliçi deklaroi se PD do të përzgjedhë modelin amerikan për të zgjedhur kandidatët dhe se Ilir Alimehmeti do të jetë nënkryetari i ardhshëm i bashkisë nëse fitojnë më 14 maj.
"Sot shqiptaret janë të befasuar nga ky standard i vendosur në politikën shqiptare. Fokusin kryesor e kam pasur te baza dhe anëtarësia e Partisë Demokratikë. Kjo ka qenë një fushatë civile e qytetare, jemi sërish me njëri-tjetrin. Jam i bindur se ky është një ogur i mirë në politikën shqiptare. Jam krenar që kam qenë pjesë e këtij procesi dhe për ta çuar një standard më tutje ne sot publikisht do adaptojmë një formë amerikane të garës, formën presidenciale. Ashtu si në Amerikë kam kënaqësinë më të madhe sot që kur i kam hyrë këtij rrugëtimi kam qenë i bindur se do ta mundja Veliajn në garën për Tiranën, me Alimehmetin si krahun tim të djathtë dhe nënkryetar të bashkisë së Tiranës që nga 14 maji ne do sjellim një model krejtësisht ndryshe." tha Këlliçi.
Kujtojmë se në procesin e "Primareve", Belind Këlliçi arriti të marrë 4040 vota nga 8470 vota gjithsej, 200 vota më pak për të arritur 50%. Ndërsa Ilir Alimehmeti mori 2196 vota.