
'Kujdes xhepat, kur t’i jepni dorën Ramës', ishte këshilla që Berisha ju bëri 28 liderave europianë që do vijnë në Shqipëri ditën e nesërme.
6 dhjetori do të jetë historike për Tiranën, pasi për herë të parë do të zhvillohet një samit i përmasave të tilla, ku do të marrin pjesë të gjithë liderët europianë. Tirana ka nisur përgatitjet për këtë ngjarje historike, ku në pallatin e kongreseve ka nisur edhe vendosja e skenës, shoqëruar edhe me logon e samitit.
Fjalia ‘kujdes kur i jepni dorën se ju vjedhin orën’, na kujton vizitën e ish-presidentit Bush më 12 Qershor të vitit 2007 në qytetin e Fushë-Krujës. pavarësisht pritjes spektakolare dhe statujës së ngritur në nder të tij, tjetër gjë bëri bujë në mediat vendase dhe ndërkombëtare, ajo ishte ora e presidentit Bush.
Kujtojmë se asokohe u shpërnda lajmi se presidentit amerikan iu vodh ora gjatë vizitës në Fushë Krujë duke bërë jehonë edhe në mediat e huaja.
Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti kishte hequr orën vetë dhe ia kishte dorëzuar një agjenti të Shërbimit Sekret. Pas mediave ishte vetë Xhorxh W. Bush, ai që mohoi lajmin duke treguar orën e tij para kamerave gjatë një deklarate për shtyp.
Ai u shpreh se “gurguleja” për orën e tij ishte lajmi më qesharak që ka dëgjuar ndonjëherë. Edhe pse të gjitha zërat u shuan nga presidenti Bush, ende vijon debati nëse ora ishte vjedhur apo jo.
Nuk dihet nëse Berisha ju referohej këtij rasti që i ndodhi gjatë qeverisjes së tij apo paralajmëron ndërkombëtarët të kenë kujdes nga Rama.
Një pjesë e liderëve europainë pritet që të mbërrijnë në vendin tonë që prej ditës së sotme. Në total pritet të vijnë 32 delegacione, ndërsa bllokimi i rrugëve do të nisë që ditën e sotme për të siguruar mbarëvajtjen e samitit./VoxNews