Premtimi i Veliajt për Tiranën: Do asfaltojmë 300 mijë metra katrorë rrugë dhe blloqe banimi

6 September 2022, 18:09Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Premtimi i Veliajt për Tiranën: Do asfaltojmë 300 mijë metra
Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka prezantuar gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak planin e tij me 4 pika për kryeqytetin.

Veliaj tha se plani do të bazohet te urbanizimi, fondi për Bujqësinë, bonusi i strehimit dhe projekti për çerdhe/kopshte brenda institucioneve. Gjatë fjalës së tij, Veliaj deklaroi se do të ndërhyhet në rreth 300 mijë m2 rrugë kryesore, dytësore dhe sheshe të blloqeve të banimit.

“Kemi pasur nga të gjithë ju me të drejtë ankesa për investimet në komunitet. Dhe sot mund të themi po. Kemi për të propozuar 300 mijë m2 asfalt për rrugë kryesore, dytësore dhe sheshe të blloqeve të banimit nga njësia 1 deri në njësinë 11 dhe nga lagjja 12 deri në lagjen 14. Pra, për të gjithë hapësirat urbane të Tiranës.

Sigurisht, qyteti ka qenë i gjithi një kantier, disa raste prej punëve private, në pjesën më të madhe prej punëve publike. Sot kemi mbledhur të gjithë qindarkat e projekteve të parealizuara dhe kemi propozuar që të shfrytëzojmë këtë fond dhe të rialokojmë për drejtorinë tonë të punëve publike, këtë projekt gjigant asfaltimi, që janë praktikisht 300 km2 sistemim dhe urbanizim i të gjithë blloqeve të Tiranës.

Kështu që, në qoftë se kemi dakordësinë tuaj ne do të mbledhim të gjitha fondet e pashpenzuara të vitit tani që jemi në gjysmën e fundit dhe do t’i çojmë në këtë projekt që kërkon më pak punë projektuese dhe më shumë punë në terren.”- tha Veliaj.

Sipas kryebashkiakut të Tiranës, kjo ndërhyrje do të konsistojë në përmirësimin e shtresave asfaltike, shtresave të trotuareve, riparime të pjesshme të paketës së shtresave rrugore ku ato paraqiten më të dëmtuara, sinjalistikën horizontale, si dhe kompletimin me sinjalistikën vertikale në ato pjesë ku ajo mungon.

Plani me 4 pika:

– Projekt i urbanizimit dhe asfaltimit
– Fondi i AZHBRS për bujqësinë
– Bonusi i strehimit
– Një projekt simbolik pilot me bankë të nivelit të dytë që ka krijuar për herë të parë çerdhe brenda institucionit.


Video