Kryetari i Degës së Partisë Demokratike në Korçë, Devis Osmani është dhunuar pasditen e sotme nga një sekretar grupseksioni i kësaj partie.
Ai është konfliktuar fizikisht me demokratin Eduart Topalli, ku burime bëjnë me dije se ky i fundit e ka goditur me shishe në kokë duke e lënë të plagosur.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në ambjentet e jashtme të një lokali në hyrje të Korçës dhe motivi i sherrit kanë qenë mosmarrëveshjet brenda partisë.
Muajt e fundit, Partia Demokratike në Korçë vazhdon të jetë e përçarë pasi gjysma e demokratëve nuk e njohin Kryersinë e re të kësaj dege të zgjedhur në zgjedhjet e fundit, duke pretenduar se ato kanë qenë të manipuluara dhe lista është bërë nga kryetari.
Partia Demokratike e qendrës fillimisht caktoi zgjedhje të reja për Kryesinë, por ato u shtynë një ditë para se të zhvilloheshin nga gjykata e partisë. Gjithsesi, edhe pse qendra kishte caktuar zgjedhje të reja, kryetari Devis Osmani mblodhi Kryesinë në kundërshtim me qendrën para se zgjedhjet e reja të shtyheshin nga gjykata.