“Zgjedhjet për kryetar të PD në 2023, të largohet edhe Berisha”

21 March 2022, 19:24Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Zgjedhjet për kryetar të PD në 2023, të largohet edhe

Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës si kryetar i PD, Grupi Parlamentar i kësaj partie kërkon nga deputetët e Foltores të ofrojnë të njëjtin mekanizëm për tërheqjen e Sali Berishës.

Ishte kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ai që drejtoi mbledhjen e grupit pas dorëheqjes së Lulzim Bashës.

Ai lexoi një draft-deklaratë për qëndrimin e grupit të PD-së për situatën e krijuar, ku në të theksohej se për të bërë të mundur bashkimin e demokratëve, duhet të tërhiqet edhe Sali Berisha.

Sipas tij kjo do të shmangte përçarjen dhe pasojat që mund të vijnë nga SHBA për shkak të shpalljes ‘non grata’.

Ai thotë se PD është gati të bashkëpunojnë me anëtarët e tjerë të grupit që janë pezulluar për t’i dhënë fund përçarjes.

Grupi i PD ka kërkuar që rolin ‘pajtuesit’ ta luajë Partia Popullore Evropiane.

Për zgjedhjen e kryetarit të ri, ai thotë se kjo duhet bërë pas zgjedhjeve lokale të 2023.

Draft-deklarata:

1- Grupi parlamentar i PD vlerëson aktin e dorëheqjes së kryetarit të PD në funksion të zgjidhjes së problematikës që ka shkaktuar një përçarje të thellë nga qendra në bazë.

2- Grupi parlamentar i bën thirrje anëtarëve të pezulluar të grupit të PD që të ofrojnë të njëjtin mekanizëm për tërheqjen e zotit Berisha, që duhet të distancohet nga vendimmarrja në PD, duke u bërë pjesë e zgjidhjes për të shmangur përçarjen dhe për të bërë të mundur bashkimin e demokratëve. Kërkojmë respektimin e vlerave dhe parimeve statutore të PD për shmangien e pasojave të deklaruara publikisht nga SHBA.

3- Grupi parlamentar shpreh gatishmërinë për të negociuar me anëtarët e pezulluar të grupit parlamentar për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për t’i hapur rrugë bashkimit. Grupi ngarkon strukturat përgjegjëse për të pranuar një grup për të lehtësuar ndërmjetësimin.

4- Grupi vlerëson se pas dakordësisë hapet rruga për:

A-Ndërmarrjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë për bashkim.

B-Përgatitjen e partisë për zgjedhjet lokale.

C-Përgatitjen e kushteve të nevojshme për zgjedhje menjëherë pas zgjedhjeve lokale.

 


Video