Me shumicë votash, Komisioni i Ligjeve ka votuar pro kandidaturës së Bajram Begajt si president. Në mbyllje të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, komentoi Oerd Bylykbashi duke thënë: “Votë e çmendur”.
Edhe gjatë diskutimeve, deputeti demokrat kërkoi dokumente konkrete sa i përket figurës së kandidatit për president Bajram Begajt. Për këtë gjë, ju përgjigj deputeti Pandeli Majko, i cili tha se Begaj ka kaluar në filtrat e ndërkombëtarëve të NATO-s.
“Më lejoni t’ju përgëzoj që keni ardhur, po flasim për një kandidaturë jo anonime, po flasim për një njeri që deri para disa orësh mbante postin e Shefit të Shtabit, ai kalon disa filtra më shumë se presidenti, Shqipëria është anëtare e NATO dhe ai që është shef i shtatit ka dhe një investigim nga partnerët, janë shumë të njohura ato për të cilat për dikë tjetër mund të ishin të panjohura, kemi të bëjmë me një figurë që i ka kaluar të gjitha filtrat. Ngrihuni në nivelin që unë e konsideroj një surprizë pozitivë, fakti që Meta nuk e ka pasur të domosdoshme të firmoste ndonëse ishte jashtë vendit dhe zhbllokoi pengesën për të kaluar në Kuvend, ai nuk është një dashamirës i mazhorancës, kemi të bëjmë me një personalitet dhe kandidat që duhet të largojë dyshimet me të kaluarën e tij dhe mënyrën se si është filtruar. Ne nuk po çojmë shefin e shtatit në zyrën e presidentit, ne po çojmë individin, që ka qenë shef I shtabit, prandaj duke mirëkuptuar pozicionin tuaj politik, ju ftoj që ta votoni”, tha Majko.
Kujtojmë se pak kohë më parë Bajram Begaj ka qenë në Pentagon, ku ka takuar zyrtarë të lartë të ushtrisë amerikane.