Nis sesioni i ri parlamentar, Spiropali fton opozitën: Të realizojmë bashkë prioritetet e kësaj legjislature

2 September 2024, 17:21Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nis sesioni i ri parlamentar, Spiropali fton opozitën: Të
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali

Ka nisur ditën e sotme sesioni i VII të legjislaturës së X, të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e dëputetëve nga maxhoranca dhe opozita, por me mungesën e kryeministrit Edi Rama.

Sesionin e ri e ka çelur kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali. Në fjalën e saj hapëse nuk kanë munguar replikat e deputetëve opozitarë, megjithatë Spiropali e ka shfrytëzuar fjalën e saj për të bërë një prezantim të punës së Kuvendit në këtë sesion.

Ajo gjithashtu i ka bërë thirrje kolegëve opozitarë të punojnë së bashku për identifikimin dhe realizimin e prioriteteve të rëndësishme, si ai i integrimit në Bashkimin Europian.

Pjesë nga fjala e Spiropalit:

Unë besoj fort se vetëm të verbrit nuk shohin se Shqipëria ka ndryshuar në mënyrë të pakrahasueshme me një dekadë më parë, kanë ndryshuar qytetarët, pritshmëritë e tyre. Jo pa keqardhje, mendoj se ka ndryshuar mendësia e të bërit politikë. Si kryetare e Kuvendit, gjykoj se mund të nënvizoj një ftesë e lutje të vjetër të ripërsëritur, për të qenë bashkë në në identifikimin e disa prioriteteve që duhet të identifikojmë dhe realizojmë deri në fund të kësaj legjislature.

Më lejoni të ndaj disa të tilla me ju. Duke nisur me lidershipin e kuvendit në procesin e anëtarësimit në BE. Gjithëpërfshirja, nuk ka vend mes të majtësh dhe të djathtësh. Duke nisur me këshillin kombëtar të integrimit europian, që do të kenë gjithë mbështetjen time. Angazhimet e planit të veprimit për zbatimin e rekomandimeve të KE. Rritjen e kontrollit dhe monitorimit të instutucioneve të pavarura. Kuvendi do të vijojë të mbështesë partneritetet strategjike me aleatët e mëdhenj, BE, SHBA, NATO. Do të vijojmë bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare.

Shqyrtimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese do të jetë një ndër prioritetet e Kuvendit gjatë këtij sesioni. Rritja e përgjegjshmërisë, produktivitetit, transparencës dhe llogaridhënies së Kuvendit përpara qytetarëve do të jenë prioritet i Kuvendit edhe gjatë këtij sesioni. Mbikëqyrja dhe kontrolli parlamentar, sidomos nga opozita, do të jenë një prioritet i Kuvendit. Pas një dialogu të domosdoshëm, duhet të nisë dhe të përfundojë procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Le t'i kthejmë këto muaj të mbetur të kësaj legjislature në një mundësi të shtuar për të pohuar mundësitë e pakufishme që sjell liria, bashkëpunimi, ndeshja e ideve dhe gara e ndershme e tyre. Të gjithë së bashku, mund të shkruajmë një faqe tjetër të historisë së zhurmshme të politikës shqiptare.


Video