Në një takim që u zhvillua të dielën në godinën e Kryeministrisë në Athinë, në prani të dy ministrave të Shtetit, Makis Voridis dhe Aki Skertsou, përfaqësuesit të qeverisë Pavlos Marinakis, bashkëpunëtorëve të ngushtë të kryeministrit Thanasis Nezis dhe Alexis Patelis, u mor vendimi përfundimtar nga vetë kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në lidhje me të ardhmen e Fredi Belerit, shkruan “Kathimerini".
Realiteti është se kryeministri kishte dëgjuar mendime kontradiktore për këtë çështje në të kaluarën, por nuk kishte marrë asnjë vendim përfundimtar. Ai thjesht po i analizonte. “Kathimerini” thekson se e diela ishte vendimtare, pasi të gjitha pikëpamjet u prezantuan sërish me argumentat pro dhe kundër.
Media tjetër, “Protothema”, shkruan se një ditë më parë në zyrën e kryeministrit kishte shkuar dhe djali i Fredi Belerit, që kishte patur “një takim emocional” me zyrtarët grekë.
Pavarësisht kësaj, mediat në Athinë raportojnë se zgjedhja nuk ka qenë e lehtë, pasi brenda Demokracisë së Re ka pasur zëra të fortë kundër kandidimit të tij.
Megjithatë Kathimerini konfirmon se ndër tre arsyet që shtynë Mitsotakis të vendoste në listë emrin e Belerit, nuk kishin të bënin me procesin gjyqësor, por thjesht po përdoret për pikë politike.
“Së pari, kryeministri konsideroi se mospërfshirja e tij do të dërgonte një mesazh të gabuar, si dorëzim përballë Shqipërisë.
Së dyti, në mbledhjen e së dielës, shifrat treguan një mbështetje të madhe për Fredi Belerin, duke dalë i treti ndër të preferuarit.
Së fundi, presioni politik që do të pasonte nga e djathta ekstreme ndaj Demokracisë së Re nuk mund të përjashtohej”, shkruan Kathimerini.
Gazeta greke shton më tej se menjëherë pas zyrtarizimit të kandidaturës, Fredi Beleri, përmes një mesazhi të regjistruar nga një burg në Shqipëri, tha se “beteja që po bënte nuk ishte personale, por është një betejë për shtetin ligjor dhe demokracinë”.
“Është një betejë për vlerat e mbrojtura nga Perëndimi dhe Europa, të cilat duhen respektuar nga ata që duan t’i bashkohen familjes së madhe europiane. Gjithashtu është një betejë për pjesën më të vuajtur të helenizmit, minoritetin grek të Shqipërisë, të cilit i bëhet padrejtësi”, shprehet Fredi Beleri.
Gjatë prezantimit të kandidatëve për zgjedhjet europiane, kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, tha se në këtë listë takohen persona nga çdo cep i Greqisë, duke harruar që Fredi Beleri vjen nga Himara, një tokë shqiptare.
Alfred Beleri u arrestua në fushatën e zgjedhjeve vendore të vitit të shkuar për korrupsion zgjedhor. Nga burgu ai u zgjodh kryebashkiak i Himarës, por drejtësia shqiptare nuk e lejoi të betohej teksa ishte në masën e arrestit me burg.
Aktualisht është dënuar me dy vite burg me vendim gjykate të shkallës së parë. Ai vazhdon të jetë i zgjedhur i Himarës deri sa të ketë një vendim të formës së prerë nga gjykata e apelit.