Mitingu dje dhe bonusi për pensionistët, Rama: Krime të tilla elektorale do vazhdoj të bëj

21 Shkurt 2025, 17:07Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave nga opozita për shkelje në prag të zgjedhjeve parlamentare, me shpërndarjen e bonusit për pensionist si dhe me mitingun që mbajti dje në sheshin Skënderbej me punonjësit e Bashkisë së Tiranës.

Rama thotë se do vazhdojë të bëjë “krime të tilla elektorale”, teksa shpjegon se miratimi i bonusit të pensionistëve është bërë që vitin e kaluar. Sa i përket mitingut të djeshëm me 6 mijë punonjës të Bashkisë së Tiranës, Rama thotë se ata “sapo kishin dalë nga puna”.

Reagimi i plotë i Ramës:

Me paska denoncuar këneta për dy krime zgjedhore

E para paskam kryer krim me bonusin e pranverës për pensionistët, që është shpallur që vjet falë rritjes së fortë ekonomike dhe të ardhura që kanë kaluar parashikimet për 2024!

Krime të tilla për pensionistët kam ndërmend të kryej akoma, madje edhe më të rënda se ky i marsit dua t’i bëj, këtë vit dhe në vitet në vijim, kështu që këneta të bëjë denoncimet e veta, ndërsa pensionistët e dinë vetë se ç’do t’i bëjnë kënetës më 11 maj

E dyta paskam kryer krim në Sheshin Skënderbej me mbledhjen e punës me punonjësit e bashkisë që sapo kishin dalë nga puna. Ky është një tjetër krim që kam ndërmend ta përsëris, sepse në 16 maj Tirana do të mikpresë 46 udhëheqës të kontinentit europian dhe 8 lider të organizatave të mëdha si BE e NATO, kështu që ata punonjës kanë shumë punë për të bërë.

Natyrisht këneta ka bërë përsëri atë që bën qysh nga 1912 e asisoj edhe qëkur unë u shfaqa si djalli që ia mbylli rrugën e Tiranës e pastaj të Shqipërisë, bufit, zhabave, zhapikëve dhe zhgarravinave të saj, të cilët mua mund të vazhdojnë të më ndjekin nga pas, po Tiranën dhe Shqipërinë e kanë humbur përgjithmonë

Kua - kua - kua


Video