Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u takua sot me kryetaren e OSBE-së në Tiranë, Clarisse Pasztory.
Meta e paraqiti këtë takim si një shkëmbim idesh mbi reformën zgjedhore, por njëkohësisht njoftoi në rrjetet sociale se gjatë takimit i kishte theksuar zonjës Pasztory rëndësinë që “organet e drejtësisë të jenë plotësisht të pavarura”.
“Theksova detyrimin e patjetërsueshëm, që organet e drejtësisë të jenë plotësisht të pavarura, të painfluencuara dhe të çliruara nga kapja qeveritare dhe të zbatojnë vetëm Kushtetutën dhe ligjin sepse vetëm në këtë mënyrë do të luajnë si duhet rolin e tyre ligjor në dënimin e krimeve zgjedhore”, njoftoi Meta pas takimit me kryetaren e OSBE, takim që vjen në një kohë kur ai ka nisur një sërë sulmesh të ashpra me akuza të rënda ndaj SPAK-ut dhe kryetarit të saj, Altin Dumani.
Por duket se për këtë merak të Metës, Pasztory ia ka dhënë menjëherë përgjigjen. Në një postim në rrjetet sociale, ajo zbulon se i ka thënë Metës se gjyqësori në Shqipëri është i pavarur dhe “nuk merr urdhra nga askush”.
“U takova me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ekipin e tij, sot, për të diskutuar përparësitë e reformës zgjedhore, duke përfunduar kështu raundin e takimeve të mia me partitë politike për këtë temë.
Gjithashtu, e përdora këtë mundësi për të adresuar komentet e kohëve të fundit lidhur me gjyqësorin në Shqipëri. Shpreha mbështetjen e plotë, timen dhe të Prezencës së OSBE-së, për SPAK-un. Gjyqësori është i pavarur dhe nuk merr urdhra nga askush”, shkruan Pasztory.