E Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane, Nancy VanHorn është takuar sot me Ministren e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali.
VanHorn ka përcjellë edhe një mesazh pas takimit, ku në postimin e Ambasadës së SHBA në rrjetet sociale, duket se i bëhet jehonë shqetësimeve që ngriti pak ditë më parë raporti i DASH për Shqipërinë.
Siç edhe theksonte raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, se klima e biznesit në Shqipëri është jo e favorshme për shkak të korrupsionit dhe konkurrencës së padrejtë nga grupet kriminale, edhe mesazhi i Ambasadës së SHBA e përsërit këtë.
“Aleatët e përkushtuar të NATO-s sigurohen që të jenë të përgatitur për të përballuar sfidat e reja të kohës sonë – përfshirë shpenzimet e qëndrueshme në fushën e mbrojtjes për sigurinë afatgjatë, bashkëpunim të ngushtë për të luftuar organizatat kriminale ndërkombëtare dhe kushte të drejta ekonomike që u mundësojnë bizneseve të lulëzojnë. E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn zhvilloi një bisedë me Ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në rolin e saj të ri, pas javës së nivelit të lartë të Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së”, thuhet në mesazhin e Ambasadës së SHBA në Tiranë.