
Kryeministri Edi Rama ka refuzuar të komentojë akuzat e bëra nga opozita ndaj vëllait të tij, Olsi Rama si pjesë e grupit kriminal që lidhet me kokainën e kapur në Xibrakë. Akuza të cilat u raportuan edhe në reportazhin e “Report” në Rai3. E ndërsa Rama mori në mbrojtje sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, nuk e përmendi të vëllanë në reagimin që bëri.
I pyetur në Report se pse nuk ka reaguar për akuzat në RAI ndaj Olsi Ramës, kryeministri u shpreh se kjo është një çështje personale dhe ndaj nuk ka reaguar. Rama tha se vëllai i tij ka kapacitetin për t’u përballur vetë me drejtësinë dhe se çështja ndaj tij, i takon Prokurorisë së Posaçme.
“Sepse nuk është një çështje personale dhe nuk kam reaguar për çështjen e tim vëllai dhe këtu në Shqipëri. Vëllai ka gjithë kapacitetin që të përballet si gjithë të tjerë. Është një çështje që i takon SPAK të vendosë se kush është fajtori në këtë. Natyrisht aty ka një pjesë tjetër që lidhet me mua dhe për atë pjesë është padia numër 22 e imja për këta shqiptarë që janë mbartës të atij mallkimi që ka Shqipëria që nga 1912, që kanë qenë armiqtë më të mëdhenj për një progres në Shqipëri”, tha Rama.