Mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, zbardhen detajet se çfarë u diskutua pas dyerve të mbyllura

10 October 2022, 15:12Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, zbardhen detajet se
Begaj dhe Rama

Presidenca ka zbardhur detajet nga mbledhja me dyer të mbylluar e Këshillit të Sigurisë Kombëtare e thirrur nga presidenti Bajram Begaj, ku në fokus ishte siguria kombëtare pas sulmit kibernetik nga Irani.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se është diskutuar për sulmet kibernetike të muajve të fundit, niveli i cënimit të sistemeve elektronike shtetërore dhe masat që janë marrë dhe po merren nga strukturat përgjegjëse.

Mësohet se ministra dhe përfaqësues të lartë të institucioneve përgjegjëse kanë raportuar mbi analizën e deritanishme të situatës, planet dhe masat, që po ndërmerren për adresimin e mangësive të vërejtura në infrastrukturë dhe kapacitete.

Njoftimi i plotë:

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Bajram Begaj thirri sot mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, thirri sot mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar.

Sulmet kibernetike të muajve të fundit, niveli i cënimit të sistemeve elektronike shtetërore dhe masat që janë marrë dhe po merren nga strukturat përgjegjëse ishin objekt i diskutimeve të hollësishme në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar.

Gjatë diskutimeve u theksua se sulmet keqdashëse, të sponsorizuara nga qeveria e Iranit, duhet të bëjnë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë e shoqërorë për të analizuar situatën e sistemeve elektronike dhe për ta trajtuar sigurinë kibernetike të gjithë infrastrukturës kritike të vendit, si një element thelbësor të sigurisë sonë kombëtare.

Ministra dhe përfaqësues të lartë të institucioneve përgjegjëse raportuan mbi analizën e deritanishme të situatës, planet dhe masat, që po ndërmerren për adresimin e mangësive të vërejtura në infrastrukturë dhe kapacitete.

Në mënyrë të veçantë, u vlerësua se mbështetja e ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe agjencitë e ndryshme amerikane, që kanë punuar e po punojnë me agjencitë tona, ka qenë thelbësore për identifikimin e tipologjisë së agresionit kibernetik dhe kundërpërgjigjen tonë.

Këshilli i Sigurimit Kombëtar konfirmoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar me të gjitha vendet partnere, NATO-n, dhe BE-në duhet të vazhdojë, me qëllim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, kundërvepruese e parandaluese dhe mospërsëritjen e sulmeve të tilla në të ardhmen.


Video