Manja, stoik përballë skandaleve të njëpasnjëshme në burgje. Çfarë duhet të ndodhë akoma?

5 January 2024, 12:18Politikë SHKRUAR NGA ENDRIT HABILAJ
Manja, stoik përballë skandaleve të njëpasnjëshme
Ulsi Manja

Pa “u ftohur” ende ngjarja e rëndë e rreth tre javëve më parë në burgun e Peqinit, ku i burgosuri Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri të dënuarin me burgim të përjetshëm Arben Lleshi, një tjetër ngjarje e rëndë ka njollosur Burgjet, institucionin që përbën një nga sektorët më të rëndësishëm përsa i përket sigurisë kombëtare.

Dje në mesditë u zbulua tentativa e vrasësit serial Dan Hutra për tu arratisur nga burgu i Fierit. Nëse “vrasësi i grave” do arrinte qëllimin e tij, ai do të kthehej në një rrezik të madh për shumë qytetarë.

Hutra kishte arritur të priste përmes një fijeje teli një prej hekurave të dritares dhe po përfundonte të dytin, në bashkëpunim me tre të burgosur të tjerë, hajdutë krejt të rëndomtë.

Pa ju futur analizave të thella, disa pyetje lindin natyrshëm: Si është e mundur që një vrasës me rrezikshmëri të lartë, të qëndrojë në qeli me hajdutë ordinerë, qoftë edhe në qeli paraburgimi?

A janë bërë kontrollet periodike për elementët e sigurisë që bëhen dy herë në javë?

“Gjatë gjithë kohës futen sende të ndaluara, celularë dhe drogë. Burgu ka një tolerancë për futjen e sendeve të rrezikshme”, është shprehur gazetari i kronikës Sokol Bregu.

Pse askush nuk mban përgjegjësi për dështimin total të menaxhimit të këtij institucioni?

Nëse në rastin e Peqinit, Ministria lau duart me dënimin e rojeve të turnit, të cilëve u qëlloi fati i keq të ishin atë ditë në punë, ketë herë dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Por jo punonjësit e thjeshtë! Përgjegjësia duhet të shkojë më tej, te drejtuesit dhe vetë ministri Ulsi Manja, përgjegjësi kryesor për situatën e vështirë të krijuar në burgjet shqiptare.

Vox News ka sjellë shpesh herë në vëmendje të lexuesit shkeljet ligjore të ministrit Manja, të cilat duhet të hetohen nga SPAK dhe këto skandale të njëpasnjëshme nuk bëjnë gjë tjetër veçse përforcojnë nevojën e ndryshimit në një nga ministritë kyçe për mirëfunksionimin e një shteti.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 


Video