Majko zëvendëson Bllakon në Kuvend, procedura që ndiqet

1 April 2022, 12:50Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Majko zëvendëson Bllakon në Kuvend, procedura që ndiqet
Pandeli Majko

Menjëherë pasi Alqi Bllako dorëzoi  mandatin e deputetit, në seancën e ditës së enjte, Kuvendi shpalli vakancën dhe nëpërmjet një shkrese njoftoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të nisur procedurat për zëvendësimin.

KQZ, si një institucion që organizon procesin e zgjedhjeve, menjëherë pasi merr në shqyrtim kërkesën, nis verifikimin  duke nisur nga subjekti apo partia politike, qarkun por edhe gjininë.

Sipas Kodit Zgjedhor, mandati i ndërprerë i deputetit i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nënpërfaqësuar.

Në këtë rast plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i gjinisë së nënpërfaqësuar pavarësisht renditjes në listë.

Duke iu referuar gjinisë mashkullore të deputetit të dorëhequr, rastit konkret Alqi Bllako, në qarkun e Tiranës, kandidati pasardhës i së njëjtës gjini që ka marrë më shumë vota nga populli dhe që renditet pas emrit të individit të larguar,  rezulton të jetë Pandeli Majko, i renditur i19-ti në listën e kandidatëve Socialist në qarkun e Tiranës,  me 8785 vota të fituara nga zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

Komisioni qendror i zgjedhjeve merr vendim për plotësimin e vakancës në Kuvend. Kodi zgjedhor parashikon se vendimi i njoftohet kandidatit dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 2 të këtij neni.

E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit pranimin ose  refuzimin për të bërë betimin nga mandatin e deputetit.


Video