Deputeti i PS-së, Erion Braçe ka reaguar i revoltuar në lidhje me vendosjen e traut në hyrje të Parkut të Divjakës dhe bërjen me pagesë për turistët dhe vizitorët.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Braçe thotë se ka pyetur punonjësit, të cilët i janë përgjigjur se kanë marrë urdhër nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
"Që në këtë vend lajthitja është kthyer në sport, kam kohë që e kam marrë vesh. Shikoni pak në hyrje të parkut të Divjakës. Shikoni dhe këtej tani. Po vendosin tra në hyrje të parkut, i pyes cili institucion po e vendos traun. Thonë AKZM-ja. Që do të thotë që në këtë park do të hyhet me pagesë. Edhe këtu ku bëhen fotot e dasmës do bëhen me pagesë. E kuptoni se deri ku ka arritur lajthitja në këtë vend?," - thotë Braçe në video.
Ende nuk dihet se sa është tarifa që do të duhet të paguajnë turistët për të vizituar parkun.