Qeveria mund të detyrohet që të rishikojë sërish ligjin për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të tyre. Gjykata Kushtetuese ka vendosur pezullimin e këtij ligji, vetëm një vit pasi ai u ndryshua sipas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut.
Vendimi për pezullimin e këtij ligji është marrë nga kushtetuesja pas padisë së ngritur nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.
KMSH kërkon në padi shfuqizimin e disa neneve të ligjit të ndryshuar në tetor të vitit të kaluar, si dhe të një serie vendimesh të këshillit të ministrave, që janë nxjerrë para dhe pas këtyre ndryshimeve në zbatim të këtij ligji.
Një prej neneve që kërkohet të shfuqizohet është ai që përcakton metodologjinë e përllogaritjes së kompensimit financiar për pronat ndaj të cilave ka ndryshuar zëri kadastral. Ligji parashikon që për pronat për të cilat kompensimi financiar është dhënë me vendim të formës së prerë, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të vitit të kaluar nuk do të jenë subjekt rishikimi.
Kundërshtohet gjithashtu edhe neni që përcakton se vendimet përfundimtare, që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit, vlerësohen financiarisht sipas zërit kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit. E thënë më thjesht, nëse një pronë e caktuar në momentin e shpronësimit ka qenë arë dhe aktualisht është truall, do të kompensohet financiarisht si arë.
Ndryshimet e vitit të kaluar në ligj adresuan një vendim të Gjykatës së Strasburgut në çështjen “Beshiri dhe të tjerët kundër Shqipërisë”. Vendimi shpalli të papranueshme skemën e re të qeverisë me ligjin e 2015-ës për trajtimin dhe kompensimin e pronës.
Strasburgu kundërshtoi po ashtu metodologjinë e përllogaritjes së kompensimit financiar, duke e detyruar Qeverinë që në çdo rast, ajo të ishte mbi 10 për qind e vlerës së pronës së kompensuar.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.