Gjiknuri dhe Bylykbashi letër ODIHR dhe Venecias, kërkojnë ndihmë për ekspertizë për reformën zgjedhore!

19 Nëntor 2025, 12:08Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Damian Gjiknuri/ Oerd Bylykbashi

Bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi u kanë dërguat letër drejtoreshës së ODIHR dhe Komisionit të Venecias ku kërkohet ndihma me eksperte.

Në letrën dërguar Maria Telalian, drejtore e ODIHR bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi shprehin mirënjohjen për rolin dhe kontributin e pandërprerë të institucionit në forcimin e standardeve zgjedhore dhe zhvillimin demokratik në Shqipëri.

Komisioni kërkon angazhimin e ekspertëve të ODIHR-it për të asistuar në hartimin e ndryshimeve ligjore dhe për adresimin e rekomandimeve të paplotësuara të raporteve të zgjedhjeve të viteve të fundit.

Gjiknuri dhe Bylykbashi letër Venecias dhe ODIHR:

Ju shprehim falënderimet dhe mirënjohjen tonë të përzemërt për kontributin e vazhdueshëm që OSBE/ODIHR ka dhënë për zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe në veçanti për forcimin e standardeve zgjedhore.

Kuvendi i Shqipërisë me vendimin nr. 74, datë 27.10.2025, ka miratuar ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Ky Komision ka objekt të punës së tij të hartojë ndryshime ligjore për reformën zgjedhore, duke adresuar rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit dhe ato të mëparshme të patrajtuara, si dhe rekomandimet e institucioneve përgjegjëse, partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.

Duke iu referuar dakordësimit të arritur në komunikimet dhe takimet e zhvilluara me përfaqësues të OSBE/ODIHR-it, kemi kënaqësinë t’ju paraqesim në emër të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore kërkesën zyrtare për vënien në dispozicion të ekspertizës suaj nëpërmjet ekspertëve të ODIHR-it për të asistuar punën e Komisionit gjatë procesit të reformës.

Modalitetet e bashkëpunimit me ekspertët tuaj mund t’i dakordësojmë në vijim nëpërmjet kanaleve zyrtare të komunikimit.
Duke Ju falënderuar paraprakisht për gatishmërinë dhe bashkëpunimin, ju përcjellim konsideratat tona më të larta”, thuhet në letër.



Video