Kërkon pezullimin e afateve të qëndrimit në paraburgim, Ilir Meta bën rekurs në Gjykatën e Lartë!

25 Shkurt 2026, 15:26Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ilir Meta

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kundërshtuar vendimin e Apelit të GJKKO-së që e la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Në kërkesën e tij, ish presidenti kërkon zbutjen e masës së sigurisë, duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për ta mbajtur në paraburgim.

Ai pretendon se masa është e pajustifikuar dhe joproporcionale në raport me rrethanat e çështjes.

Kërkesa e ish presidentit për lirim nga qelia është rrëzuar edhe më parë nga të tria shkallët e gjyqësorit që kanë vendosur ta lënë në burg.

Kreu i Partisë së Lirisë i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit që kanë lënë në fuqi masën e arrestit janë antikushtetuese dhe cenojnë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ilir Meta ndodhet në qeli prej tetorit 2024, dhe akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, dhe 3 të tjerë.


Video