Përkujtohet 4-vjetori i nisjes së luftës në Ukrainë, Anuela Ristani: Tirana qëndron me Ukrainën, ashtu siç ka qëndruar që nga dita e parë

24 Shkurt 2026, 15:02Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Përpara Bashkisë së Tiranës u zhvillua sot ceremonia përkujtimore me rastin e 4-vjetorit të nisjes së sulmeve ndaj Ukrainës ku kanë humbur jetën shumë njerëz. Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, si dhe Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov.

Në fjalën e saj, Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, theksoi dimensionin emocional dhe simbolik të këtij përvjetori. “Është pothuajse e pabesueshme që e bëjmë këtë për të katërtin vit radhazi dhe është njëkohësisht po aq prekëse sa ç’ishte në vitin e parë. Është një nga ato momente ku bëhemi bashkë, por në të njëjtën kohë, të gjithë dëshirojmë të mos mblidhemi përsëri për këtë arsye”, deklaroi Rsitani. Ajo nënvizoi se, pavarësisht sfidave globale dhe lodhjes së përgjithshme, Tirana mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj. “Në këtë kohë lodhjeje dhe dekurajimi të vërtetë, mes vëmendjeve të shpërndara në shumë kriza globale e lokale, ne ende duam të theksojmë se Tirana qëndron me Ukrainën, ashtu siç ka qëndruar që nga dita e parë. Jo vetëm Tirana, por të gjithë ata që mbështesin drejtësinë, lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Tirana është ende këtu, Shqipëria qëndron këtu për të gjithë ata që në çdo mënyrë mund të ndihmojmë dhe në çdo mënyrë që mund të mbështesim. Edhe nëse zhurma bëhet më e madhe, ne do të bërtasim me zë edhe më të lartë për drejtësi, për të bërtitur për atë që është e drejtë dhe atë që i detyrohemi popullit ukrainas. Faleminderit të gjithëve që erdhët, është vërtet bukur dhe prekëse t'ju kemi këtu, siç ishit këtu që nga dita e parë.”, përfundoi Ristani.

Nga ana e tij, Ambasadori i Delegacionit të BE-së, Silvio Gonzato, rikonfirmoi angazhimin e Bashkimit Evropian për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. “Paqja dhe integriteti janë angazhime thelbësore për sigurinë e të gjitha shteteve. Nëse agresioni normalizohet, integriteti territorial bëhet i negociueshëm. Një paqe e gjatë në Ukrainë është kritike. Llogaridhënia për vuajtjet duhet të jetë gjithashtu e rëndësishme. Bashkimi Europian do të vazhdojë që të mbështesë përpjekjet për të garantuar llogaridhënien, gjithashtu do të ketë presion diplomatik, derisa paqja të jetë e sigurt. Populli ukrainas po tregon rezistencë heroike. Ukrainasit meritojnë mbështetjen tonë të plotë. Falënderojmë Shqipërinë për mbështetjen, është e rëndësishme që në këto kohë vendet e BE dhe ata në rrugën e integrimit të tregojnë unitet në veprime dhe qëllime. Është koha që të mos hezitojmë në promovimin e rregullave tona të përbashkëta", përfundoi Gonzato.

Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, rikujtoi se më 24 shkurt të katër viteve më parë, bota u përball me një realitet tronditës: “Sot shënohen katër vjet që nga fillimi i agresionit në shkallë të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës. Katër vite më parë, në mëngjesin e 24 shkurtit, bota u zgjua përballë një realiteti të tmerrshëm që shumë besonin se ishte lënë përgjithmonë në të kaluarën.”, deklaroi Shkurov. Ai theksoi se Ukraina nuk e zgjodhi luftën, por rezistencën. “Rusia nisi një luftë agresioni që synonte shkatërrimin e një shteti sovran dhe heshtjen e një kombi të lirë. Kjo luftë nuk ishte zgjedhja e Ukrainës. Ukraina nuk zgjodhi luftën, por zgjodhi rezistencën. Për katër vite, populli im ka mbrojtur të drejtën themelore për të jetuar. Ne po mbrojmë jo vetëm tokën dhe shtëpitë tona, por edhe parimet mbi të cilat është ndërtuar siguria evropiane dhe euroatlantike: sovranitetin, lirinë dhe të drejtën e kombeve për të përcaktuar të ardhmen e tyre.”, përfundoi Shkurov.


Video