Kërkesa për arrestimin e Ahmetajt, Grupi Parlamentar i PD kërkon interpelancë me Ramën

17 July 2023, 15:36Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kërkesa për arrestimin e Ahmetajt, Grupi Parlamentar i PD kërkon

Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për çështjen e inceneratorëve, të enjten e 20 korrikut.

Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi tha se dosja e Arben Ahmetajt është tronditëse dhe duhet sqarim. 

Bardhi nënvizon se mafiozët e inceneratorëve, siç i quajti ai, vijojnë të paguhen nga buxheti i shtetit. Ai kërkoi dakordësi dhe për kërkesën e Rithemelimit për mocion me debat.

Vendimi i Grupit Parlamentar të PD:

Në kërkesën e nënshkruar nga jo më pak se 7 deputetë demokratë, evidentohet se: “Në më shumë se një rast, organet e drejtësisë kanë konstatuar se të tre procedurat e koncesionit/PPP janë kryer në shkelje të ligjit, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm të konsiderueshëm financiar. Madje është fakt që edhe pse janë paguar miliona euro nga Buxheti i Shtetit, problem i mbetjeve në qarqet Elbasan, Fier dhe Tiranë nuk është zgjidhur ende”.

Dy janë cështjet që evidentojnë deputetët dhe për të cilat duhet të japë shpjegime Kryeministri Edi Rama:

Në kërkesën e dorëzuar këtë të hënë në Kuvend deputetët theksojnë se: “Edhe pse tashmë rezulton e provuar që në këtë aferë me vlerë të paktën 430 milion euro, Buxhetit të Shtetit i është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm financiar, nuk rezulton që institucionet shtetërore të kenë ndërmarrë veprime për të korrigjuar paligjshmërinë dhe për të shmangur dëmin financiar për Buxhetin e Shtetit. 3 pronarët e deklaruar të inceneratorëve janë persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, por edhe pse në arrati institucionet shtetërore vijojnë të jenë financues të tyre, duke vijuar pagesat për punë të pakryera. Praktikisht, institucionet shtetërore përmes pagesave nga Buxheti i Shtetit po shërbejnë si financues të jetesës së tyre në arrati”.

Për këtë arsye, deputetët kërkojnë zhvillimin e një interpelance urgjente me Kryeministrin për të raportuar në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore lidhur me paligjshmërinë e konstatuar në 3 procedurat e koncesionit/PPP së inceneratorit të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, masat e marra për shlyerjen e dëmëve financiare që i janë shkaktuar Buxhetit të Shtetit dhe masat e marra për të ndaluar menjëherë pagesat që janë rrjedhojë e 3 kontratave të paligjshme dhe që rezultojnë se janë të prekuara nga fenomeni i korrupsionit masiv. Deputetët kanë kërkuar që kërkesa kërkese për interpelancë urgjente me Kryeministrin të përfshihet në rendin e ditës të seancës së datës 20.07.2023, si pikë e parë e rendit të ditës.

SPAK ka dërguar në gjykatë kërkesën për arrestimin e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, të cilin po e heton për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Bëhet fjalë një dosje voluminoze ku krahas Ahmetajt ka dhe persona të tjerë të përfshirë dhe nuk është çudi që SPAK të mund të kërkojë masa dhe për persona të tjerë, mes tyre dhe biznesmenë.

Pak ditë më parë Kuvendi i hoqi mandatin Ahmetajt dhe i hapi rrugë arrestimit dhe kontrolleve të SPAK në banesat e tij.


Video