Gjykata shfuqizoi përjashtimin e deputetëve të PD, Bardhi: Do të mbahet përgjegjësi!

6 Nëntor 2024, 15:41Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gazment Bardhi

Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pasi Gjykata Administrative vendosi të shfuqizojë vendimin e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin e deputetëve demokratë me nga 60 dhe 40 ditë nga punimet e Kuvendit.

Bardhi e ka quajtur një dënim pa ligj të opozitës, duke theksuar se vendimi i Gjykatës Administrative; “provon drejtësinë e betejës së deputetëve të PD për të kthyer kushtetutshmërinë dhe rregullin në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë”.

“Rrethimi i Kuvendit me tela hekuri dhe me qindra Forca Sigurie, për të penguar 24 deputetë të opozitës, në shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit, të ushtrojnë detyrën e tyre, është i denjë vetëm për regjimet autoritare dhe kurrësesi për një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian”, theksoi demokrati.

Reagimi i Bardhit:

Dënimi PA LIGJ i opozitës, konfirmuar sot edhe nga Gjykata, provon drejtësinë e betejës së deputetëve të PD për të kthyer kushtetutshmërinë dhe rregullin në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë. Për fat të keq, nën drejtimin e Elisa Spiropalit, Kuvendi është kthyer si asnjëherë më parë në një çerdhe paligjshmërie, ku vepron forca e arrogancës dhe shkelja brutale e Kushtetutës.

Rrethimi i Kuvendit me tela hekuri dhe me qindra Forca Sigurie, për të penguar 24 deputetë të opozitës, në shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit, të ushtrojnë detyrën e tyre, është i denjë vetëm për regjimet autoritare dhe kurrësesi për një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian.

Ne presim me padurim që ti vijë zëri për të dënuar aktin antikushtetuese, kujtdo që fajësonte me pa të drejtë opozitën dhe i kërkonte asaj që të luante rolin e vet brenda Kuvendit, ndërkohë që e vërteta ishte që opozita po pengohej me dënime PA LIGJ, me tela hekuri dhe Forca Sigurie, që të futej në Kuvend.

Është rasti i parë në histori që deputetët e opozitës dënohen me një rregullore që e kishte shfuqizuar Gjykata Kushtetuese, duke injoruar vendimin e saj për t’i konsideruar masat e përjashtimit si jo proporcionale.

Ata që PA LIGJ penguan me Forca Sigurie për rreth 40 ditë deputetët e opozitës të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues do të mbahen përgjegjës!

Video