Komisioni i Posaçëm për dezinformimin ka mbajtur sot një seancë dëgjimore, ku u thirrën në raportim Ministria e Punëve të Jashtme, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve si dhe Qendra Kombëtare të Biznesit.
Në seancë, kryetari i këtij Komisioni Erjon Braçe pasi lexoi raportin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, kërkoi informacione të hollësishme në lidhje me mediat, operatorët që ofrojnë teknologji, ata që ndërtojnë faqe online si dhe kompanitë e marketingut.
“Për të gjithë operatorët e huaj, dua ekstraktet e secilit prej tyre. Do na i dergoni ne, do ja dërgoni dhe organeve tatimore. Nuk dua të huajt që vijnë nga vende të tjera, por të huaj që janë me origjinë ruse iraniane, etj. Media është interesi ynë i parë, interesi ynë i dytë janë ata që ofrojnë teknologji, shqiptarët dhe të huajt, teknologji që përdoret për mediat. Interesi i tretë janë të gjithë ata që ofrojnë ndërtimin e faqeve online dhe interesi i katërt janë kompanitë e marketingut. Pra këto katër lista duam",
Sipas raportit të sjellë në Komisionin e Dezinformimit, në vendin tonë veprojnë operatorë me origjinë ruse dhe iraniane, për të cilët kryetari i këtij Komisioni shfaqi një interes të veçantë.
“Do na i dergoni ne do ia dërgoni edhe tatimeve, të gjitha shtetësitë nga këto vende do t’i nxirrnin më vete. Shikoj që paska emra domethënës këtu edhe ca nuk kanë deklaruar as pronarin përfitues. Këta rusët mua më pëlqejnë jashtë mase, Kështu që do na duhet që kjo analizë që keni bërë për këta, të bëhet për të gjithë. Në këto 4 drejtime kryesore”, vijoi deputeti Erjon Braçe.