Ish-presidenti Ilir Meta ka publikuar së fundmi në rrjetet sociale një foto, ku duket pranë një tufe delesh të racës autoktone Bardhoka.
Duke theksuar rëndësinë e kësaj race për prodhimin e mishit, qumështit dhe leshit, Meta paralajmëroi se Bardhoka është në rrezik për shkak të mungesës së mbështetjes financiare.
Meta deklaroi se Partia e Lirisë ka blegtorinë si një nga prioritetet kryesore dhe premtoi mbështetje për fermerët shqiptarë me pagesa direkte prej 60 eurosh për çdo krerë dele apo dhi, në vend të 12 eurove që ofrohen aktualisht. Ai gjithashtu njoftoi uljen e pragut të përfitimit nga 100 në 20 krerë, duke premtuar përmirësim të mirëqenies së fermerëve dhe ndalimin e shpopullimit në zonat tradicionale të vendit.
“Gjendem në mes të një tufë me dele të racës autoktone Bardhoka apo Delja e Tropojës, Malësisë së Madhe, Dukagjinit dhe e Kosovës. Kjo racë e trevave tona të Malësisë është një krenari kombëtare.
E famshme për prodhim mishi, qumësht dhe lesh ajo është përshtatur përsosmërisht me klimën malore. Sot Bardhoka është e kërcënuar nga braktisja e mbështetjes me fonde.
Partia e Lirisë e ka prioritet kryesor Blegtorinë. Ne do të mbeshtesim fermerët shqiptarë me pagesa direkte 60 euro për çdo krerë dele e dhi nga 12 Euro që është aktualisht dhe pragu i përfitimit do të ulet nga 100 në 20 krerë.
Shpërblimi i mundit dhe sakrificave të fermerëve shqiptarë jo vetëm do të rritë mirëqenien e tyre, por kjo është edhe detyrë patriotike për ndalimin e shpopullimit të krahinave më atdhedashëse si Tropoja dhe për ta kthyer Shqipërinë në fuqi eksportuese,” shkruan Meta në rrjetet sociale.