Avokati i ri i Popullit, Endrit Shabani, ka marrë zyrtarisht detyrën këtë të enjte, më 19 dhjetor, një ditë pas betimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë.
Dorëzimi i detyrës dhe prezantimi formal u zhvilluan në ambientet e institucionit, në prani të komisionerëve, administratës dhe stafit.
Prezantimi u krye nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, në përputhje me procedurat kushtetuese, duke shënuar vijimësinë institucionale në krye të Avokatit të Popullit.
Endrit Shabani zëvendëson në këtë funksion Erinda Ballancën, e cila e ka drejtuar institucionin për tetë vite dhe ka vijuar ushtrimin e detyrës edhe pas përfundimit të mandatit kushtetues.
Betimi i Shabanit në Kuvend u zhvillua një ditë më parë, më 18 dhjetor, në një seancë të tensionuar parlamentare, e shoqëruar nga protesta e opozitës, e cila kishte bllokuar sallën dhe kishte penguar zhvillimin normal të punimeve.
Pas betimit, Shabani u largua nga salla, duke përshëndetur deputetët e opozitës.
Kandidatura e tij ishte propozuar fillimisht me firmat e deputetëve të opozitës, të cilët më pas u tërhoqën nga mbështetja.
Megjithatë, mazhoranca nuk pranoi kërkesën për tërheqjen e firmave dhe votoi zgjedhjen e tij si Avokat i Popullit vetëm me votat e saj.