Rama: Lojë e pisët e "non gratas", Srebrenica s'mund të jetë letër për bojën e katranit

12 May 2022, 18:29Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama: Lojë e pisët e "non gratas", Srebrenica s'mund
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama e konsideron si një lojë të pisët të ish-kryeministrit Sali Berisha, rezolutën për të dënuar genocidin serb në Srebrenicë, e kërkuar nga disa deputetë të Komisionit të Rithemelimit.

Kreu i qeverisë ka reaguar pas kritikave se pse PS votoi kundra saj. Në një postim në Twitter, Rama shkruan se ajo nuk ishte një rezolutë dhe se kritikët duhet të pyesin pse ajo u kërkua sot.

Rama shkruan më tej se Berisha njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit, teksa shpreh se ndjen neveri "për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë". Sipas Ramës, Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë.

"Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç'ne kjo rezolutë sot,pse,me ç'rast?Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s'ishte rezolutë po lojë e ulët!

Lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracise, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t'u ringjallur nga varri i tij politik!

Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehet gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë!" shkruan Rama.


Video