E gjithë Athina zyrtare duket se është vënë në lëvizje pas arrestimit të kandidatit të koalicionit "Bashkë Fitojmë" për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, i cili akuzohet për shit-blerje votash.
Media greke "Protothema" raporton se ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka kontaktuar në telefon me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe ka informuar kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis për atë që po ndodh në vendin tonë.
Po ashtu, ministri i Mbrojtjes, Takis Theodorikakos ka zhvilluar gjithashtu një bisedë telefonike me homologun Bledi Çuçin, ku ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të kandidatit për kryebashkiak të Himarës.
Më herët ambasadorja greke, Kostandina Kamici zhvilloi një takim në Ministrinë e Jashtme, ku shprehu shqetësimin në lidhje me arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri.
Fredi Beleri u arrestua mbrëmjen e djeshme në ambientet e lokalit të tij. Bashkë me të në pranga u vunë edhe dy persona të tjerë. Ata akuzohen për blerje votash nga SPAK, gjë e cila hidhet poshtë të arrestuarit.
Mbi të rëndon akuza për "Korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim".
“Ky shtetas është kapur në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë”, thuhet në dokument.