Drejt plaçkës së fundit

13 Mars 2024, 11:46Pikëpamje SHKRUAR NGA ARLIND QORRI
Arlind Qorri, Rama dhe Berisha

Ujdia e vërtetë e Edi Ramës dhe Sali Berishës nuk janë komisionet hetimore parlamentare apo pseudoreforma zgjedhore. Edi Rama dhe Sali Berisha janë prestanome të oligarkëve që shtojnë miliardat në kurriz të punës sonë, shëndetit tonë, ardhmërisë sonë.

Njëri jep me firmë dhe tjetri vulos me heshtje kullat e Tiranës (e fundit ajo që zaptoi parkun pas Teatrit të Operës dhe Baletit), dhurimin e porteve të Vlorës e të Durrësit, zaptimin e plazheve të jugut e të veriut, monopolin e naftës dhe oligopolin e artikujve ushqimorë.

Në Shqipërinë e sotme nuk mund të jesh kryeministër, por vetëm maxhordom, nëse nuk ua vë kufirin te thana oligarkëve.

Në Shqipërinë e sotme nuk mund të bësh opozitë duke marrë pjatën e dytë në gostinë e oligarkëve.

Në Shqipërinë e sotme nuk mund të jesh parti politike nëse i përvidhesh kundërvënies ndaj oligarkisë ekonomike.

Në Shqipërinë e sotme thënia e të vërtetës me zë të lartë, pa kursyer asgjë dhe askënd, pa marrë parasysh kostot politike dhe telashet personale, është detyrë patriotike.

Lëvizja BASHKË është e gatshme ta përmbushë këtë detyrë. Bashkimi i çdo qytetari të ndershëm në këtë udhë afron ditën e transformimit të madh demokratik të Shqipërisë.

Video