Rreth orës 11:00 të paradites së sotme dhjetëra qytetarë janë mbledhur para Bashkisë Tiranë, për t’iu bashkuar protestës së thirrur nga Rithemelimi në lidhje me dosjen 5D. Kjo është protesta e dytë që po mbahet për të njëjtën çështje.
Qytetarët po kërkojnë dorëheqjen e Veliajt, ndërsa kanë bllokuar rrugën përpara institucionit.
Ata kanë hedhur mollë dhe flakadanë në drejtim të bashkisë dhe këshilltarët e opozitës po tentojnë të futen me forcë në Bashki. Sipas tyre, duan të marrin informacion në lidhje me kërkesën për të mbledhur këshillin bashkiak për çështjen e drejtorëve të arrestuar.
Pjesë e protestës, edhe këtë radhë është vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi.
Këshilltari i PD, Ilir Alimehmeti, në një prononcim për mediat tha:
“Ku shkojnë fondet e Tiranës?! Marrin fondet tonë dhe i përdorin. Këta drejtues nuk janë drejtues administrate thjesht, por janë drejtues politikë, bashkëpunëtorë të ngushtë Erion Veliajt. Kërkojmë audit të jashtëm për të gjitha fondet që shpenzohen në këtë drejtim në bashkinë e Tiranës për periudhën që nuk është kontrolluar nga KLSH. Kërkesë e thjeshtë, kërkesë e qartë antikorrupsion”, tha ai.
Nga ana e saj Policia ka marrë një plan masash për t’i paraprirë çdo situate duke rrethuar bashkinë dhe Ministrinë e Brendshme.