Raporti i Freedom House: Partitë të largojnë minuesit e demokracisë! SPAK-u nuk mundet të luftojë korrupsionin i vetëm

11 Prill 2024, 08:56Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Organizata Freedom House ka publikuar raportin për vitin 2024, “Vendet në Tranzicion: Një rajon përballë forcave të autokracisë dhe demokracisë”. Në raport evidentohet se demokracia në Shqipëri u ndesh me një sërë sfidash, veçanërisht gjatë zgjedhjeve të muajit maj, të cilat konsoliduan më tej pozitën dominuese të partisë në pushtet.

Vlerësimi i përgjithshëm i organizatës për Shqipërinë mbetet i pandryshuar nga viti i kaluar, duke e cilësuar si një vend me sistem hibrid të qeverisjes.

Në kapitullin për vendin tonë, raporti është ndalur edhe në luftën kundër korrupsionit, ku theksohet se SPAK ka përmirësuar rezultatet e hetimeve, por gjithsesi ky fenomen mbetet ende shqetësues.

“SPAK-u gradualisht përmirësoi rezultatet e hetimeve të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ngriti akuza kundër një numri politikanësh kryesorë në Shqipëri në vitin 2023, duke u bërë njëri nga institucionet e pakta funksionale të drejtësisë dhe prokurorisë në vend, ndërkohë që procesi i vettingut në Shqipëri vazhdoi edhe gjatë vitit 2023", thuhet në raport.

Raporti i referohet hetimeve të SPAK-ut ndaj ish kryeministrit Sali Berisha për korrupsion, për të cilin ai është shpallur non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe shton se krahu i tij politik “është shndërruar në një grup të dhunshëm, që duket se dëshiron të destabilizojë vendin, duke e bërë arrestimin e tij lajm të mirëpritur për shumë njerëz.”

Raporti po ashtu citon edhe aktpadinë e SPAK-ut ndaj ish Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për korrupsion dhe lëshimin e fletë-arrestit ndërkombëtar pasi ai u largua nga Shqipëria. 

Këto përpjekje të shtuara të SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar të nivelit të lartë, sipas ‘Freedom House’, kanë nxitur sulme ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të tij nga të gjitha partitë politike, të cilat vazhdojnë të mos distancohen nga zyrtarët e akuzuar mes radhëve të tyre.

“Reagimi negativ nënvizon realitetin se SPAK-u nuk mundet të luftojë korrupsionin në nivelet më të larta i vetëm dhe se është e rëndësisë jetike për demokracinë në Shqipëri, që partitë politike t’i largojnë ata që janë të përfshirë në korrupsion dhe që kanë një të kaluar që minon sundimin e ligjit dhe demokracinë", thuhet në raport.

Sipas ‘Freedom House’ “partitë politike shqiptare vazhdojnë të mos jenë në gjendje të përballen me korrupsionin në radhët e tyre dhe duken të pavullnetshme për t’u distancuar nga udhëheqësit problematikë partiakë që janë sanksionuar jashtë vendit ose që ballafaqohen me akuza serioze nga SPAK-u.”

“Kjo dukuri pjesërisht ka të bëjë me mungesën e demokracisë së brendshme të partive politike dhe paaftësisë së tyre” për t’i dhënë përgjigje kësaj dukurie negative në radhët e tyre.

“Dështimet e brendshme partiake janë bartur në strukturat qeveritare – duke ngjallur armiqësi të shtuar ndaj kritikëve në sektorët e shoqërisë civile dhe mediave – dhe vazhdojnë të kenë një ndikim të pafavorshëm në gjendjen e përgjithshme të demokracisë në Shqipëri", thuhet në raport.


Video