
Kreu i qeverisë Edi Rama ka zhvilluar një takim këtë të premte me fermerët e Divjakës.
Rama tha se shteti ka vënë në dispozicion 250 milionë euro për bujqësinë, ndërsa u bëri thirrje fermerëve që t’i shfrytëzojnë dhe t’i drejtohen Bankës së Shqipërisë për të marrë kreditë.
Po ashtu i bëri thirrje pushtetit vendor që të bashkëpunojë më shumë me fermerët dhe bujqit.
"Sot në vendin tonë çështja e financimit të projekteve që secili ka dhe do të bëjë, nuk është problem pasi paratë janë. Por problemi është mungesa e informacionit dhe përgatitjes për t’i thithur ato para. Fonde nga BE do të kemi më shumë, por duhet të jemi të aftë që t’i thithim.
Duhen disa gjëra jo shumë të ngatërruara, por disa gjëra nuk duhet të shmangen. Është një dosje që duhet të ketë brenda një projekt dhe që duhet financuar. Kemi vënë në dispozicion të bujqësisë 250 mln euro, që mund të shkojnë dhe 1 mld, nëse konsumohen.
Kemi vënë në dispozicion për bujqësinë 250 milionë euro që mund të shkojnë dhe në 1 miliard nëse konsumohen, përmes Bankës të gjithë mund të shkojnë dhe të marrin kredi me garanci nga shteti me norma shumë të ulëta.
Shumë pak është shfrytëzuar kjo mundësi sepse për ta shfrytëzuar duket një përgatitje e një dosje për t’u drejtuar bankës. Bashkitë duhet të jenë shumë më aktivë me fermerët për të adresuar këto financime.
Bashkitë dhe ju mund të krijoni struktura të përbashkëta, kompani të përbashkëta për të marrë këto financime, të cilat janë aty dhe presin”, tha Rama.