Protesta qytetare para Kryeministrisë hyri sot në ditën e 66-të të saj, ku si zakonisht tubimi nisi nga sheshi “Skënderbej” për të vijuar me marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, poshtë zyrës së Edi Ramës.
Protestuesit kërkuan edhe njëherë dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë. Si zakonisht nuk munguan thirrjet: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëri e re”, apo “Shqipëria kërkon revolucion”.
Gjatë protestës së sotme pati edhe mesazhe kundër hartës së re të Reformës Territoriale, që ka ngjallur tubime edhe në rrethe.
“Në të gjitha qytetet ku ka propozuar që bashkive t’u vihet kyçi, ka pasur protesta kundër këtij vendimi. Por përse pikërisht tani? Sepse duan që pushteti lokal të grumbullohet gjithnjë e në më pak duar”, tha aktivisti Edison Lika.
Edhe aktivisti Ilir Xhemalaj kritikoi planin për riorganizimin territorial, duke përmendur bashkitë e Libohovës, Belshit dhe Patosit si një shembull të asaj që ai e cilësoi si shkrirje të njësive vendore.
“Nuk arrij të kuptoj se si bashkia e Libohovës po shkrihet, se si bashkia e Belshit po shkrihet se si bashkia e naftëtarëve në Fier, bashkia e patosi po shkrihet. Çfarë qëndron pas kësaj reforme territoriale. Ministri ka bërë pakt për 200 mijë vietnamezë. Qëllimi kryesor është shpopullimi i Shqipërisë nga shqiptarët, por ne nuk e lejojmë. Duam vendin tonë për fëmijët tanë për shqiptarët…A i shikoni qëllimet e tyre, ka shkuar nafta 216 lekë, euro ka rënë , dollari ka rënë por nafta rritet çmimet rriten, shtëpitë rriten si do jetojmë…A do ta lejojmë këtë shpopullim? Ne nuk do ta lëmë këtë shesh, është sheshi i popullit shqiptar, këtu derisa ky të japë dorëheqje”, tha ai.