Delegacioni i BE reagon për arrestimin e Veliajt: Po ndjekim nga afër zhvillimet! SPAK të hetojë korrupsionin pa ndërhyrje dhe presione

12 Shkurt 2025, 17:11Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
BE / Erion Veliaj

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar lidhur me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe zhvillimet politike që e kanë pasuar atë.

Në një prononcim për “Top News”, delegacioni i BE-së thotë se po ndjek nga afër zhvillimet lidhur me hetimin e Veliajt, por shton se nuk komenton procedura gjyqësore në vazhdimësi.

Më tej, në reagim thuhet se BE-ja mbështet reformën në drejtësi dhe se forcimi i shtetit të së drejtës janë elementë kyç për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Reagimi i delegacionit të BE-së mbyllet duke nënvizuar se SPAK duhet të hetojë rastet komplekse të korrupsionit pa pasur ndërhyrje politike apo presion të padrejtë.

Reagimi i delegacionit të BE-së për “Top News”:

“Po ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me hetimin ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdim.

Reforma në sektorin e drejtësisë dhe forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë elementë kyç në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

BE-ja mbetet e përkushtuar maksimalisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave dhe për ta ndihmuar vendin të konsolidojë efikasitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e institucioneve të saj, si dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, si në sektorin e zbatimit të ligjit ashtu edhe në atë të drejtësisë.

Roli specifik i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe pavarësia e saj në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit, pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë me rëndësi thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.”

Video