Kryeministri Edi Rama deklaroi nga podkasti i tij se negociatat për anëtarësim në Bashkimi Europian po vazhdojnë normalisht, duke hedhur poshtë pretendimet e kryedemokratit Sali Berisha për bllokim apo pengim të procesit.
“E kundërta ndodh! Je menjëherë i përmbytur nga gjysmë të vërteta, që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, nga gënjeshtra safi, që i thonë fjalë nga sajesa e fabrikime, dhe nga komente gjithfarësh, që në fund të ditës më shumë e mjegullojnë sesa ndihmojnë në kërkimin e të vërtetës, dhe thuhen nga të tëra, dëgjohen nga të tëra, por ajo që është më shqetësuesja, për sa më takon dhe për sa na takon, është se nuk flitet, nuk komunikohet e nuk diskutohet për punët e Shqipërisë. Po përkundrazi, punët e Shqipërisë identifikohen vetëm me një luftë mizerabël politike dhe me një përpjekje të vazhdueshme të kujtdo që është në anën e kundërt me ne, që qeverisim Shqipërinë, për të bërë çmos që punët e Shqipërisë të mbulohen me ziftin e dëshpërimit të tyre, me baltën e të gjithë urrejtjes, mllefit, inateve të tyre”, tha Rama.
Po ashtu kreu i qeverisë paralajmëroi zhvillime pozitive në këtë drejtim, duke u shprehur se së shpejti do kemi lajme shumë të mirë.
“Ashtu si kundër, dhe e mbyll këtë shënim, është në vijë procesi më i rëndësishëm historik i anëtarësimit në Bashkimin Europian, me negociatat që vazhdojnë dhe, në ndërkohë, gjithçka që thuhet kur vjen puna te negociatat lidhet me gënjeshtrën e madhe se: “ato janë bllokuar”, “ato janë ndaluar”, “ato janë penguar”, për arsye të mosarsyes së të gjithë atyre që synojnë ta pengojnë Shqipërinë për të luftuar qeverinë. E vërteta e thjeshtë është se kjo punë e madhe e Shqipërisë vazhdon përditë e përditë e përditë dhe, së shpejti, përsëri, siç kemi pasur në procesin e hapjes së kapitujve, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë”, vijoi kreu i qeverisë.
“Do të kemi lajme shumë të mira”, paralajmëroi Rama.