“Shqiptarët me çmimin më të lartë të naftës në Europë”, Berisha: 60% për çdo litër e merr qeveria!

3 April 2026, 19:29Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Shqiptarët me çmimin më të lartë të
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar në selinë blu, takimin “Bursa Rama e Naftës-10 abuzime, 1 zgjidhje”, me Departamentet e Burimeve Natyrore, Ekonomisë, Financave, Bujqësisë dhe Çështjeve Sociale. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se vendi ynë ka çmimin më të lartë të naftës në botë.

“Çmimi i naftës për qytetarët shqiptar është më i lartë se në çdo vend të Europës dhe të botës. Pra nafta është një ndëshkim për qytetarët dhe ekonominë e vendit”, tha kryedemokrati.

Ai shtoi se asnjë vend tjetër nuk ka “një ngarkesë të çmendur fiskale siç e ka Shqipëria.”

Mes të tjerash, Berisha theksoi rëndësinë e çmimit të naftës për ekonominë shqiptare, duke e lidhur atë me të gjitha sektorët dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

“Një nga çështjet më thelbësore të ekonomisë sonë që lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me të gjithë sektorët e kësaj ekonomie dhe me jetën e përditshme të çdo qytetari shqiptar. Më shumë se çdo faktor tjetër. Nuk ka asgjë tjetër të lidhur me çmimet e prodhimeve në Bujqësi, me çmimet e transportit, me çmimet e përpunimit të prodhimeve, se sa nafta, nuk ka asnjë faktor tjetër që t’u marrë qytetarëve shqiptarë që kanë veturë, 7.2% të të ardhurave të tyre ditore, në një kohë kur çmimi i naftës apo litra e naftës në Gjermani ju kushton gjermanëve 1.2 % të të ardhurave ditore të tyre”, tha Berisha.

Ai u shpreh se qeveria në një akt cinik të pashembullt dhe akcizën e ka bërë të indeksueshme:

“Në një akt cinik të pashembullt, edhe akcizën e ka bërë të indeksueshme. Nuk ua bën pensionistëve indeksimin e pensioneve, jo, i mashtron. Indekson akcizën e naftës dhe e rrit atë në përputhje me inflacionin. Dhe kjo i jep një rritje të ndjeshme çdo vit, dhe marrë së bashku, rëndon me 40 lekë të vjetra në çmimin e saj.”

Berisha: PD do kërkojë përgjysmim të ngarkesës fiskale mbi naftën

Berisha u shpreh se ndërhyrja është “një emergjencë”, që sipas tij nuk e zgjidh “akciza e indeksuar me inflacionin”.

Kryedemokrati theksoi se PD do kërkojë përgjysmim e ngarkesës fiskale mbi naftën dhe hetim për autoritetin e konkurrencës.

“Pra, PD qëndron e vendosur në hapin e parë përgjysmimin e ngarkesës fiskale. Ne duhet të zbresim tek ngarkesa fiskale, të cilat garantojnë çmime të përafërta, por më të ulëta se sa në vendet e tjera përreth që nuk kanë një litër naftë dhe që nuk paguajnë transportin nga Durrësi në Prishtinë apo nga Durrësi në Tetovë. Nafta pra qëndron si ndëshkim me taksat e saj mbi pensionistët në tërësi, mbi të gjithë qytetarët me rritjen e çmimeve të konsumit.

Është një problem madhor kështu që ne në parlament do dorëzojmë amendamente dhe ligje, sikundër do kërkojmë një hetim për autoritetin e konkurrencës, i cili është i zhytur në naftë”, u shpreh ai.

Berisha: 60% të çmimit për çdo litër e merr qeveria

Kryetari i Partisë Demokratike, u shpreh se Shqipëria është vendi me ngarkesën më të lartë fiskale mbi litrin e naftës, ku rreth 60% e çmimit të saj shkon tek taksat që qeveria merr për çdo litër.

“Pra, nafta është një ndëshkim për qytetarët dhe ekonominë e vendit. Nuk ka asnjë vend tjetër të ketë një ngarkesë të çmendur fiskale mbi litrin e naftës siç e ka Shqipëria. 60 përqind e çmimit të naftës përbëhet nga ajo që qeveria u merr qytetarëve për çdo litër. Askush nuk e bën këtë përveç kësaj qeverie. Askush nuk e bën këtë dhe nuk mund të imagjinojë të bëjë një gjë të tillë. Në vitin 2013, taksa e qarkullimit ishte 7 lekë të vjetra për litër. E rriti në 28 lekë, e rriti me katër herë. Në një akt cinik të pashembullt, edhe akcizën e ka bërë të indeksueshme. Nuk ua bën pensionistëve indeksimin e pensioneve, jo, i mashtron. Indekson akcizën e naftës dhe e rrit atë në përputhje me inflacionin. Dhe kjo i jep një rritje të ndjeshme çdo vit, dhe marrë së bashku, rëndon me 40 lekë të vjetra në çmimin e saj”, tha ai.

“Qeveria përgjegjëse për kontrabandën e naftës”

Më tej, kryedemokrati akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama si përgjegjëse për kontrabandën e naftës. “Nuk zhduket nafta transit, por zhduken 350 mijë ton naftë kontrabandë. Dhe kontrabandën nuk mund ta bëjë njeri tjetër përveç qeverisë. Nafta e tëra vjen me anije. Dhe është vërtetuar se anijet e Libisë vijnë për qeverinë. Është gjetur”, tha ai.

Berisha përmendi dhe dy arsyet kryesore, që pse sipas tij shqiptarët kanë çmimin më të lartë të naftës në botë.

“Dy janë faktorët kryesorë të këtij çmimi ndëshkues të litrit të naftës në Shqipëri, ngarkesa fiskale më e lartë në botë. Nuk ka asnjë vend tjetër që të ketë ngarkesë fiskale më të lartë se Shqipëria. Jo!

Dhe e dyta, nuk ka një vend tjetër që të ketë një kontrabandë më të madhe se Shqipëria, por kontrabanda e thashë edhe njëherë që është kontrabandë qeveritare. Se gjemitë kontrabandë i sjell vetëm qeveria. 1.1 euro dora e shtetit i merr për litër nafte çdo qytetari. 0.7 u merr në Maqedoni, në Kosovë dhe çmimet aty janë minimumi 40% më të lira“, shtoi kreu i PD-së.

Berisha e akuzoi kryeministrin Rama se po krijon kompani shtetërore në sektorin e naftës për të përfituar personalisht dhe për të emëruar të besuarit e tij në pozicione kyçe. Ai tha se Rama do të gjejë një tjetër “Ergys Agas” për të menaxhuar ndërmarrjen shtetërore të naftës.


Video