Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Asamblenë e PS-së në njësinë numër 3 në Tiranë, u shpreh se shqiptarët e kanë më në fund shansin që të jenë pjesë e asaj familjeje, që e kanë ëndërruar gjithmonë, Bashkimin Europian. Ai u shpreh se shanset për qytetarët shqiptarë, kur vendi ynë të jetë në BE, do të rriten.
“Sot shqiptarët janë me fat dhe mund të shkojnë në dyert e Europës. Kurrë ndonjëherë shqiptarëve nuk iu ka ardhur ky fat. Shqiptarët e kanë menduar se do të jenë mirë, kur erdhi komunizmi, kur u mendua se do të ketë barazi, por se përfundoi në dhunë. Edhe pas vitit 1990, Shqipëria nuk kishte dinjitet në arenën ndërkombëtare dhe na trajtuan si mos më keq në katër anët. Edhe Shqipëria nuk e kishte zhvillimin e duhur. Duhet ta shfrytëzojmë këtë kohë, për sa kohë BE-ja e ka derën hapur.
Sot kemi fituar respekt në arenën ndërkombëtare. Kur të hyjmë në BE, një shqiptar do të jetë i barabartë me çdo qytetar të një vendi tjetër të Bashkimit Europian. Sot je ilegal kur shkon në vendet e BE-së, ndërsa kur Shqipëria të jetë vend i BE-së, mund të kërkosh punë në Itali, në Poloni, ku të duash, ose do kthehesh këtu, nuk ka rëndësi”, tha Rama.
Akuzoi se opozita dhe të tjerë kritizerë hedhin vrer ndaj Shqipërisë, edhe në raport me integrimin europian.
“Nuk mund të rrisnim pensionet më herët sepse ekonomia nuk ka pasur rritje aq të fortë sa sot. Por, tashmë jemi në një moment të mirë dhe rritja ekonomike ka nisur. Do të arrijmë në fund në nivele pensionesh të arsyeshme për Shqipërinë. Do mbështesim familjet në nevojë, ushtarakët, policët etj. Nëse ecim me ritmet që kemi menduar, viti 2030 do të na gjejë në Bashkimin Europian. Më vjen shumë keq për ata që hedhin vetëm vrer ndaj integrimit të vendit në BE. Por, këto vrere ndaj Shqipërisë nuk pinë ujë në Komisionin Europian, ku ne dorëzojmë raportet e punës”, deklaroi kreu i qeverisë.
Në fund, vlerësoi rolin e grave, duke u shprehur se janë forca e vërtetë e Partisë Socialiste.
“Gratë janë forca e vërtetë e Partisë Socialiste. Unë në Dibër thashë një fjali dhe të gjithë u hodhën “si iu thotë burrave të Dibrës ky qyryk”. Më thanë se burrat e Dibrës do të bëjnë këtë e atë dhe në fund Dibra doli sikur të jetë Vlora. Për pak mund të fitonim dhe mandatin e katërt në këtë qark. Kjo ndodhi sepse burrat shkojnë pas grave. Gratë socialiste janë forca e vërtetë e PS-së”, përfundoi Rama.
Rama ka nisur një tur takimesh me socialistët në njësitë e kryeqytetit. Takimet mbahen për të diskutuar çështje të ndryshme, si dhe vijnë në kuadër të përgatitjeve të PS-së për zgjedhjet lokale.