Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar takim me demokratët e Korçës në kuadër të zgjedhjeve për kreun e Partisë Demokratike.
Berisha ka hedhur sërish akuza ndaj nismës “Ballkani i Hapur” duke thënë se është shkatërrim i Korçës dhe i të gjithë Shqipërisë.
“Çfarë është Ballkani i Hapur? Është absolutisht shkatërrimi i Korçës dhe i Shqipërisë. Pse? Sepse zotëria e tij na thotë t’i hapim kufijtë dhe të vërshojnë prodhimet serbe në radhë të parë pa tarifa, pa asgjë. Një vend i cili ka fusha të mëdha, një vend i cili në Ballkan është prodhues kryesor i një seri prodhimesh bujqësore që ka subvencionuar në çdo hektar, në çdo dynym, në çdo metër, në çdo njësi prodhimi më shumë se çdo tjetër në Ballkan dhe tani i themi ne fermerit në Ballkan se ti do të matësh me fermerin e Shumadisë. Nuk është e vërtetë se BE është ky. BE është me kuota”, tha Berisha.
Berisha tha më tej se kryeministri Edi Rama po ndihet afër me Beogradin, ndërsa Kosova larg me Tiranën.
“Aspekti politik është më tragjik akoma me të cilin ka rrethuar Kosovën me armiqësi. Në vend se të ndihemi 2 herë më të fuqishëm se jemi të lirë, tani ky ndihet afër me Beogradin, Kosova larg me Tiranën. E rëndësishme është të realizojmë se ky është një mision jetik për qenien tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Nëse vazhdojmë këtë mision, i japim Shqipërisë drejtimin e duhur”, tha Berisha.