Berisha del sërish në konferencë: Rezultati në Kamëz, manipulim monstruoz dixhital

14 May 2023, 23:17Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha del sërish në konferencë: Rezultati në Kamëz,
Sali Berisha

Sali Berisha në një konferencë të dytë për mediat mbrëmjen e sotme, e ka quajtur një “manipulim dixhital monstruoz” rezultatin në Bashkinë e Kamzës, ku fitues u shpall kandidati socialist, Rakip Suli.

“Të dhëna të besueshme dëshmojnë se Kamza është manipulim dixhital monstruoz. Monstruoz. PD, në vitin 2021 qenë 10 mijë vota para PS. Ne poll-in e pollsterit më të saktë të 13 viteve të fundit, i bërë në fund të shkurtit, PD me Partinë e Lirisë, ishin 14 përqind para PS ndërkohë që manipulimin dixhital e nxjerr sot, PS 10 mijë vota para këtij koalicioni. Ky pra është absolutisht një rezultat totalisht i gatuar në mënyrë dixhitale dhe hidhet poshtë me vendosmëri më të madhe. Shtoj këtu se Kamza është shtuar nga qeveria pa aprovimin e askujt dhe në kundërshtim me kërkesat për t’u votuar në mënyrë dixhitale. Edhe njëherë them se rezultati i Kamzës pasi u konfrontuan, u krahasuan rekorde elektorale dhe pollet janë kryekëput të manipuluara”, tha Berisha.

Në fund, kryedemokrati tha se problemi dixhital është në diskutim dhe dyshim të plotë.

“Domethënë kur them për Kamzën, atëherë problemi dixhital është totalisht në diskutim dhe dyshim të plotë. Kamza fakton çdo gjë, fakton gjithçka. Kemi patur të dhëna, por nuk mund të paragjykojmë. Kemi indicie të tjera në të cilin sistemi është vendosur në kontrolle të dyfishta, por janë për t’u verifikuar këto. Ajo që është reale është se në 2021, PD ka qenë 10 mijë vota para PS-së dhe në pollin e 27 Shkurtit, pra në prag të fushatës ka qenë bashkë me aleatin e vet, ka qenë 14 pikë përpara PS-së. Ky rezultat është krejtësisht i manipuluar dhe i turpshëm. Tregon një manipulim elektoral të paimagjinueshëm”, u shpreh Berisha.

Kujtojmë se në Kamzë ashtu sikurse në Vorë e Elbasan u votua dhe numërua në mënyrë elektronike. Në të treja bashkitë fitues u shpallën kandidatët socialistë.

 

 


Video