Berisha, akuza ambasadores amerikane: Mban qëndrime korruptive. Rama ka synim një pseudo-opozitë

17 November 2022, 21:27Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha, akuza ambasadores amerikane: Mban qëndrime korruptive. Rama ka
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sonte se mënyra se si u bë akti për të asgjësuar opozitën, është qëllimi i ulët i Edi Ramës.

Berisha tha se PD nuk do të pranojë të shkelmohet, ndërkohë që akuzoi ambasadoren Yuri Kim se "mban qëndrime jo parimore dhe korruptive".

"Së pari jam dakord, është një problem themelor për shoqërinë shqiptare, jo vetëm për Partinë Demokratike. Cili është thelbi i këtij problemi? Thelbi ishte asgjësimi i opozitës. Gjatë këtyre nëntë muajve, është arritur që opozita të ngrihet në këmbë, të ishte ajo që patë në 12 nëntor, por nga ana tjetër, Edi Rama vijon përpjekjet më kriminale pasi ka vendosur monizmin absolut në Shqipëri, kërkon të asgjësojë edhe opozitën.

Ka sjellë opozitën e vërtetë para një betejë për jetë a vdekje. Është betejë për jetë a vdekje e opozitës shqiptare. Është shumë e vërtetë, që gjithçka u bë në këto zhvillime që tejkalojnë çdo lloj imagjinate në romane, u bë për të patur një pseudo opozitë në funksion të Edi Ramës.

Në funksion janë qëndrimet aparimore, korruptive, të zonjës Yuri Kim, e cila i lejon vetes të thotë nuk njoh votën, nuk njoh vullnetin e shumicës dhe e bën këtë jo sepse Amerika nuk është e principeve, është e parimeve, por ka një George Soros në mes, që kur të nxjerrin jashtë qeverie, siç ka bërë me paraardhësin e saj, lobon me dhjetë milionë për ty dhe të rikthen ambasador. Ne nuk e ndryshojmë Amerikën, por çfarë bëjmë ne? Me vendosmëri absolute unë luftoj që shqiptarët të kenë opozitë.

Edi Rama nuk heq dorë, ju njihni shumë por askush nuk njeh sa unë ligësitë e tij të pafundme. Edi Rama publikisht kërkon ti marrë flamurin opozitës.

Këtu ka një njeri, Edi Rama, ndaj dhe PD do të merret vetëm me Edi Ramën.

Partia Demokratike ka një problem fondamental për të zgjidhur. Do të pranoj ajo të shkelmohet, apo do ti qëndrojë këtij dhëmbë për dhëmbë dhe në mënyrën më të merituar? Jam për variantin e dytë", deklaroi Berisha në emisionin "Të Paekspozuarit".


Video