Basha ironizon Rithemelimin: Janë rimorkio e urbanit të prishur të Edi Ramës

4 May 2024, 11:32Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Basha ironizon Rithemelimin: Janë rimorkio e urbanit të prishur
Lulzim Basha

Kreu i PD-së, Lulzim Basha mori pjesë sot në një takim me Kuvendin Zgjedhor të degës nr.3 në Tiranë. Basha në fjalën e tij u ndal tek amnistia e miratuar në parlament mes Rithemelimit dhe Partisë Socialiste. Basha thotë se ata miratuan amnisti për të korruptuarit dhe jo për protestuesit. 

'E zvarritën sa e zvarritën amnistinë derisa një ditë të bukur thanë ejani të bëjmë amnistinë, sepse brenda kishin futur atë që në gjuhën popullore quhet “mishi i dhisë”. Amnisti me mish dhie do të thotë amnisti për të korruptuarit dhe jo për protestuesit kundër korrupsionit. Këtë bënë. Por nuk e bënin dot pa disa vota nga ata që ulen në atë karrige me votat e opozitës. Me mundin, djersën dhe gjakun e demokratëve', u shpreh kreu i PD-së.
Nga ana tjetër sa i përket reformës zgjedhore, kreu i PD-së thotë se propozimet e tij janë të mbështetura nga të gjithë shqiptarët pavarësisht bindjeve politike. 

'Të cilat siç e dini fare mirë, po të dalim jashtë i përqafon çdo qytetar pavarësisht prej bindjeve politike. Për listat e hapura, për votimin elektronik dhe numërimin elektronik, për Shqipërinë një zonë që garanton barazinë e votës dhe për votën e diasporës. Ky është një rast tjetër ku duket qartë se kush e bën betejën për shqiptarët dhe kush e bën këtë betejë për demokratët dhe kush është kthyer në rimorkio të urbanit të prishur të Edi Ramës. E prishën komisionin e reformës zgjedhore se do të ndërtonin një tjetër celulë 3 plus 3. Ka më shumë se dy muaj që komisioni i reformës zgjedhore u asgjësua me dorën e atyre që i thonë vetes opozitë, por që në fakt janë rimorkio e Edi Ramës', tha Basha.


Video