Vendimi i marrë këtë të premte nga Gjykata Kushtetueses lidhur me heqjen e pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut është botuar në fletoren zyrtare.
Në këtë mënyrë, që nga ky moment Balluku rikthehet në detyrë si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.



Gjykata Kushtetuese vendosi sot të pezullonte vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ndalonin ushtrimin e detyrës nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Vendimi i marrë këtë të premte, e rikthen menjëherë në detyrë Ballukun, duke pezulluar efektet e masës ndaluese deri në përfundimin e gjykimit.
Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e ankimimit të bërë ndaj kësaj çështjeje dhe caktoi si datë për mbajtjen e seancës, 22 janarin e vitit 2026, ora 10:00. Kësisoj, GJK vendos në favor të kryeministrit Rama, i cili pretendoi se pushteti i drejtësisë ka ndërhyrë padrejtësisht në pushtetin ekzekutiv. Rama nënvizonte se nuk ka shembull në arenën ndërkombëtare ku një prokuror apo edhe një gjyqtar i shkallës së parë të vendosë pezullimin nga detyra të një anëtari të qeverisë.
Sipas njoftimit zyrtar, Mbledhja e Gjyqtarëve shqyrtoi paraprakisht çështjen e kërkuar nga Kryeministri Edi Rama, e cila lidhej me zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe GJKKO-së së Shkallës së Parë, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.
Në njoftim theksohet se Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025, të cilat kishin vendosur ndaj Ballukut masën ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Për pasojë, vendimi i GJKKO-së humbet efekt deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
Po ashtu, Gjykata vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik, duke thirrur si subjekte të interesuara SPAK-un, GJKKO-në, Kuvendin e Shqipërisë dhe Presidentin e Republikës.
U caktua gjithashtu data e seancës plenare publike: 22 janar 2026, ora 10:00, siç përcakton neni 27 i Rregullores së Gjykatës Kushtetuese në rastet kur pranohet pezullimi.