Asambleja Parlamentare e SEECP, Sara Mila: Teknologjia dhe startup-et, motor i integrimit europian të rajonit

16 April 2026, 13:14Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Asambleja Parlamentare e SEECP, Sara Mila: Teknologjia dhe startup-et, motor i

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, në cilësinë e kryetares së Delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), vlerësoi sesionin e zhvilluar në Bullgari si shumë produktiv, me fokus te bashkëpunimi rajonal në ekonomi dhe inovacion.

Mila theksoi se vendet e Europës Juglindore ndajnë ngjashmëri të shumta kulturore dhe historike, ndërsa disa prej tyre, përfshirë Shqipërinë, janë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.

“Vendet e Europës Juglindore kanë shumë çka për të ndarë me njëri-tjetrin. Jemi të ngjashëm kulturalisht dhe historikisht, dhe një pjesë e vendeve, sikurse Shqipëria, janë në rrugën drejt BE-së,” tha ajo nga Bullgaria, ndërsa punimet e SEECP u mbyllën ditën e sotme.

Sipas saj, diskutimet u përqendruan veçanërisht te startup-et dhe teknologjia, me dakordësi për nevojën e harmonizimit të rregullave dhe legjislacioneve mes vendeve pjesëmarrëse.

“Kur ky proces është i harmonizuar për gjithë rajonin, ne kemi mundësi reale për të zhvilluar ekonomitë tona vendase dhe më pas për të ecur drejt BE-së në mënyrë sa më cilësore,” deklaroi Mila.

Ajo vlerësoi SEECP si një nga platformat më të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal, me procese të nisura që kërkojnë vijimësi dhe zbatim konkret.

“Mendoj se do të jetë një rrugëtim shumë i mirë i kësaj organizate, sepse janë disa procese që kanë nisur dhe mbeten për t’u zbatuar,” tha ajo.

Duke folur për rolin e Shqipërisë, Mila theksoi angazhimin e vendit në këtë forum, veçanërisht gjatë presidencës shqiptare në SEECP.

“Vumë në vëmendje arritjet që janë bërë deri tani përsa i përket inovacionit dhe teknologjisë, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale në platformat zyrtare të administratës,” u shpreh ajo.

Sipas saj, mesazhi kryesor i takimeve në Bullgari ishte nevoja për më shumë afrim dhe bashkëpunim mes vendeve të rajonit.

“Duhet të jemi shumë më pranë nga sa jemi sot. Këto indicie do të na bëjnë që të kemi mundësi të bashkëpunojmë më shumë dhe e ardhmja e vendeve tona do të jetë shumë e mirë,” deklaroi Mila.

Procesi i SEECP përfshin 13 vende të Europës Juglindore, mes tyre Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Greqinë, Turqinë dhe Kroacinë. Ai u iniciua në vitin 1996 në Sofje, ndërsa samiti i parë u mbajt në Kretë në vitin 1997. Shqipëria mbajti presidencën e SEECP nga korriku 2024 deri në qershor 2025 nën moton “Formësimi i së ardhmes sonë evropiane”, ndërsa aktualisht kryesinë e ka Bullgaria.



Video