Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur 1 minutë heshtje në nderim të Eliot Engel, ish kongresmenit amerikan që u nda nga jeta pak ditë më parë në moshën 79-vjeçare.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi e cilësoi si një mik të madh të shqiptarëve dhe mbështetës i palëkundur i çështjes kombëtare shqiptare.
“Eliot Engel ishte një mik i madh i shqiptarëve dhe mbështetës i palëkundur i çështjes tonë kombëtare. Kontributi i tij në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane do të mbetet i paharruar”, tha ai.
Eliot Engel ishte një nga figurat më jetëgjata të Partisë Demokratike në Kongresin amerikan, duke përfaqësuar shtetin e New York-ut për më shumë se tre dekada.
Gjatë kësaj kohe, ai u përfshi gjerësisht në çështjet e politikës së jashtme, duke arritur kulmin e karrierës si kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Ai njihej si një nga mbështetësit më të zëshëm të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht për angazhimin e tij në mbështetje të Kosovës gjatë dhe pas luftës.