A janë ftuar marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe atij serb Aleksandar Vuçiç? Kjo ishte pyetja që moderatorja Grida Duma i drejtoi ministres së re të Jashtme, Elisa Spiropali.
Ajo nuk pranoi të përgjigjet drejtpërdrejt. Por tha se Shqipëria sot e ka të qartë se çfarë raporti ka me fqinjët.
Sipas Spiropalit, Shqipëria sot është partneri më i besueshëm i Bashkimit Europian dhe NATO-s në rajon.
Spiropali: Marrëdhëniet mes kryeministrave, Rama, të tjerë të rajonit. Janë marrëdhënie që nuk kushtëzohen dot nga çfarë mendon ti. Ne këta fqinjë kemi. Si ka vepruar Shqipëria? Shqipëria është partneri më i besuar i NATO dhe BE-së. Shqipëria nuk shihet sot me syrin e një vendi që nuk di çfarë raporti ka me fqinjët.
Duma: Por Serbia merr shumë më tepër fonde nga BE-ja. Serbia gjithmonë ka marrë një trajtim të tipit ta mbajmë mirë, ta kemi brenda se mos na ikën në Rusi.
Spiropali: Serbia për shkak të politikave të saj të brendshme është aty ku është, për shkak se nuk njeh spastrimet etnike, për shkak të retorikës që mban. Prandaj Shqipëria dhe Mali i Zi janë pararendës për anëtarësimin në BE. Po, unë mendoj se ne kemi mundësi të ndikojmë më shumë për Kosovën, si mbajtja e sanksioneve nga BE që është absurde.