Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen e infrastrukturës së institucioneve të drejtësisë në vend, duke theksuar se vetëqeverisja e sistemit gjyqësor, ndonëse e nevojshme dhe e mbështetur nga reforma në drejtësi, nuk ka arritur të prodhojë transformimin e nevojshëm të infrastrukturës.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama shtoi se transformimi i godinave të drejtësisë është i pamundur pa projekte të besueshme, ndërsa bëri të ditur se qeveria ka vendosur ta marrë përsipër vetë këtë proces.
“Kam vënë re me keqardhje që vetëqeverisjes së drejtësisë falë pavarësisë që iu dha atij sistemi me reformën në drejtësi, ndër të çalat e veta ka edhe dobësinë e madhe në administrimin infrastrukturës në projektimin e infrastrukturës dhe transformimin e infrastrukturës. Transformimi i infrastrukturës, i godinave pa projekte të besueshme është i pamundur. Përfundimisht, kemi vendosur që edhe këtë mision ta marrim përsipër vetë. Në Shqipërinë 2030 të kemi një infrastrukturë të transformuar të godinave të drejtësisë, sepse nuk mund të vazhdojmë me arnë dhe hapësira e mjedise gjykatash e prokurorish që janë larg të qenit dinjitoze, nuk mund të vazhdojmë më me ngushtësira që pastaj kthehet në performancë që lë shumë për të dëshiruar”, tha Rama.