A do të kandidojë kundër Erion Veliajt? Ilir Alimehmeti flet për takimin me Berishën

17 October 2022, 21:30Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
A do të kandidojë kundër Erion Veliajt? Ilir Alimehmeti flet
Ilir Alimehmeti dhe Sali Berisha gjatë një tryeze të PD-së

Ilir Alimehmeti është njëri nga emrat e përmendur si kandidat për Bashkinë e Tiranës nga ana e Partisë Demokratike. E ndërsa duket se ka mbështetje në rrjetet sociale, doktor Alimehmeti duket se nuk ka mbështetjen e strukturave të selisë blu.

Alimehmeti tha sonte se do të presë zyrtarisht nisjen e procesit të primareve për të lajmëruar hyrjen ose jo në garën për kryeqytetin.

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit", Alimehmeti tha se është takuar me zotin Berisha, por nuk dha detaje nga biseda mes tyre.

Ai e konsideroi nder dhe privilegj mbështetjen që ka marrë nga komuniteti.

“Është nder dhe privilegj të mbështetesh nga komuniteti. E them këtë sepse në fund fare ne do ta mendojmë këtë diskutim dhe pozicion si shërbim të atij komuniteti. Ne kemi një proces që quhet primarja e cila është e rëndësishme sepse është hapja dhe është përtej anëtarësisë. U shkon votuesve në dorë sepse ne të gjithë kemi një ndjesi, na imponuan, jemi lodhur etj etj, ky proces i vë kapak këtyre elementëve dhe i jep hapësirë kujtdo dhe i shkon për analizim asaj popullate që më pas do të vendosë dhe ajo do vendos për kandidatin që i ka vlerat dhe do i shërbejë më mirë”.

Më tej Alihmehmeti deklaroi se primaret është hera e parë që ndodhin në Ballkan dhe kjo nuk mund të përjashtojë as problemet me të, por sipas tij kjo është e vetmja rrugë për të shkuar të bashkuar kundër kësaj makinerie.

"Një shtysë kaq e madhe nga një komunitet kaq i gjerë që del përtej logjikës ne duhet të kemi një fron të bashkuar dhe jemi të sigurtë se kundër një makinerie duhet të shkojmë të bashkuar dhe kjo zgjidhet përmes primareve. Unë jam një person që shoh anën si dokument zyrtar. Gjërat duhen bërë me rregull dhe seriozitet. Me primaret është hapur fushata, nuk është një fushatë e shkurtër. Mos të harrojmë se fushata e vërmë për bashkinë ishte vetëm 50 ditë, këtu ka një përgatitje shumë më të madhe në një terren më ndryshe se ai që kishim më përpara. Terreni është ndryshe nga 8 vitet e kaluara që i kemi para syve. Primaret duhet të jenë serioze dhe transparente".


Video