6 miliardë Eurot e BE janë gati, por Shqipëria duhet të dorëzojë projekte dhe të luftojë korrupsionin

29 Shkurt 2024, 13:45Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama

Sipas një raporti të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Ballkanit do t’i duhen 40 deri në 70 vite kohë që të arrijë standardet e jetesës së Bashkimit Europian. Për ta reduktuar këtë kohë, më 8 nëntor 2023, Komisioni Europian miratoi një Plan të ri të Rritjes ekonomike për rajonin tonë.

Brukseli thotë se plani i rritjes ka potencialin të dyfishojë madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor brenda 10 viteve të ardhshme. Ai synohet që të nxisë vendet për anëtarësimin në BE dhe nevojën për të përshpejtuar reformat e nevojshme ekonomike dhe të forcimit të shtetit ligjor.

Në këtë drejtim, BE ka vënë në dispozicion një fond prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027. Fondi përbëhet nga 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi, që u disbursohet vendeve aplikante me kushtin e përmbushjes së reformave socio-ekonomike të kërkuara nga BE.

Grantet do të ofrohen përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, 2 miliardë euro do të jenë kredi afatgjata dhe një miliardë euro kredi afatmesme. Shifra do të ndahet për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duke u bazuar te numri i popullsisë që kanë dhe prodhimi i brendshëm bruto i tyre.

BE e ka konceptuar qasjen në këto fonde si një garë mes vendeve. Ato vende që paraqesin projekte serioze për investim dhe ku performanca antikorrupsion në zbatimin e këtyre projekteve është më e mirë do të tërheqin më shumë para.

Kusht tjetër është edhe stabiliteti makrofinanciar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit. Në rast se kushtet e pagesës nuk plotësohen, Komisioni do të pezullojë ose do të zbresë reduktojë pagesën. Vendi që penalizohet do të ketë një deri në dy vite kohë për të përmbushur kushtet, në të kundërt shuma do të rishpërndahet te vendet e tjera.

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video