Shënohet sot 34-vjetori i rënies së komunizmit. Në përkujtim të 8 Dhjetorit 1990 Forumi Rinor i Partisë Demokratike do të nderojë sot këtë ditë me një marshim që nis nga Qyteti i Studentit për të vijuar drejt Kryeministrisë. Marshimit, i cili do të nisë në orën 11:00 do t’i bashkohet edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Në ora 11:00, në përkujtim të 8 Dhjetorit 1990, Ditën e Rinisë, FRPD marshon për të nderuar aktin heroik të studentëve që ndezën flakën e demokracisë në Shqipëri. Marshimi do të nisë nga Qyteti i Studentit për të vijuar drejt Kryeministrisë. Marshimit do t’i bashkohet edhe kryetari i Partisë Demokratike, Prof Dr. Sali Berisha”, njofton PD.
Prej vitit 2009, me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe të gjithë rinisë shqiptare.
Ishte data 8 Dhjetor e vitit 1990 kur një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë nismëtarë dhe protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën pluralizimin, rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.
Me shprehjen, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës, integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.
Protestat do të vazhdonin deri më 11 dhjetor kur në takim me kryetarin e atëhershëm të Shqipërisë Ramiz Alinë u konfirmua pluralizmi politik, të cilin e shpallën menjëherë pas kthimit nga ai takim, duke nisur organizimet për themelimin e Partisë Demokratike.
Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditët e para 1991 deri në ditët e grevës së urisë, kulmuar mesditën e 20 shkurtit 1991, kur studentët të mbështetur nga pedagogët dhe shumë qytetarë të Tiranës, zbarkuan në sheshin Skënderbej, duke rrëzuar bustin e diktatorit Enver Hoxha.